E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovarët, e ardhmja e Zvicrës

Zvicra llogarit në talentët e rinj kosovarë, Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka, për një të ardhme më të suksesshme në futbollin ndërkombëtar. Një shkrim nga gazeta angleze, Daily Mail lavdëron kualitetet e futbollistëve kosovarë, të cilët pavarësisht moshës së re, kanë zënë vend në ekipin e Ottmar Hitzfeldit. Nga Express më 05 qershor 2011 në ora 11:38

Fushata kualifikuese e Zvicrës për Euro 2012 nuk ka shkuar aq mirë deri më tani, por ekziston një ndjenjë pozitive për të ardhmen, falë futbollistëve të talentuar nga Kosova. Kështu shkroi të shtunën e përditshmja angleze, Daily Mail.

Xherdan Shaqiri 19 vjeç nuk ka nevojë për njoftim te selektori i Anglisë Fabio Capello pas inkuadrimit nga bankina për të shënuar një gol të jashtëzakonshëm në përballjen e skuadrave në Basel, shtatorin e kaluar.

Kur yjet zvicerane, Alexander Frei dhe Marco Strellar konfirmuan pensionimin e tyre këtë sezon, selektori Ottmar Hitzfeld promovoi Granit Xhakën, një tjetër kosovar i gjeneratës së 90-tave. Xhaka 18 vjeç, ishte yll në mesfushën e Zvicrës U-17 në triumfin e tyre në Kampionatin botëror më 2009 dhe konsiderohet futbollist me potencial të madh.

Hitzfeld e inkuadroi si titullar në ndeshjen e së shtunës kundër Anglisë në Wembley. Admir Mehmedi, shqiptar i lindur në Maqedoni, është një tjetër emigrant nga Ballkani në ekipin e Zvicrës.

Mehmedi është 20 vjeç dhe luan në sulm për Zurichun. Këta të tre do të largohen nga Londra pas ndeshjes kualifikuese për Euro 2012 dhe do të udhëtojnë për në Kampionatin evropian U-21, në Danimarkë, së bashku me Innocent Emegrahan, nigerianin 22 vjeç të lindur zviceran, i cili luan për Grasshoppersin. Janë rreth 250 mijë kosovarë në Zvicër.

Daily Mail kujton se janë 350.000 kosovarë që jetojnë në Zvicër dhe edhe pse atdheu i tyre është i pavarur që prej vitit 2008, ende nuk njihet nga FIFA, ndërsa mbajnë gjallë shpresën se vitin e ardhshëm do t’i lejohen miqësoret, e ndoshta do të mund të marrë pjesë në kualifikimet për Euro 2016.

Me kalimin e viteve, shumë kosovarë vendosën të përfaqësojnë Shqipërinë, duke përfshirë ish-mesfushorin e Sunderlandit, Lorik Cana.

Shefki Kuqi luajti për Finlandën, ndërsa Valon Behrami kaloi në Zvicër, si pesë vjeç, duke shërbyer shembull për Shaqirin dhe Xhakën. Helvekikët në skuadër kanë edhe Blerim Xhemajlin, mesfushorin shqiptar nga Tetova.

I pyetur muajin e kaluar nëse do të luante për Kosovën, Xhaka është shprehur i interesuar ta bëjë një gjë të tillë, gjë që nuk është mirëpritur në Zvicër.

“Kemi emocione të përziera. Jemi shumë krenarë me Shaqirin dhe Xhakën dhe i falënderojmë Kombëtaren si Zvicra që u kanë dhënë mundësinë. Por, ne jemi në një geto ndërkombëtare dhe është e rëndësishme që FIFA dhe UEFA të dinë pozicionin tonë. Ne nuk jemi një shtet i ri futbolli – ne kemi ekzistuar qysh prej vitit 1922. Kemi shumë lojtarë jashtë, por nuk duam të dëmtojmë asnjë ekip kombëtar”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›