E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të kënaqur edhe me barazim

Kombëtarja shqiptare është e vetëdijshme se Bosnja e Hercegovina me të gjitha forcat do të mundohet që ndaj saj t’i rikuperojë pikët e humbura në Rumani. Megjithatë, Lorik Cana paralajmëron rezistencë të fortë ndaj boshnjakëve, derisa thotë se për Shqipërinë, i favorshëm do të ishte edhe një barazim. Nga Express më 05 qershor 2011 në ora 11:38

Humbja të cilën e ka pësuar Bosnja dhe Hercegovina, të premten mbrëma nga Rumania (3:0), në kuadër të kualifikimeve për Euro 2012, nuk është pritur aq mirë në Kombëtaren e Shqipërisë.

Kjo pasi kuqezinjtë frikësohen se boshnjakët do të përpiqen maksimalisht të martën e ardhshme të shënojnë fitore ndaj tyre në kuadër të Grupit D, për ta vazhduar luftën për t’u kualifikuar në ‘Euro 2012’.

Megjithatë, Kombëtarja shqiptare paralajmëron se në Zenicë do të luftojë për një rezultat sa më pozitiv. Kështu thotë futbollisti kosovar i ekipit kuqezi, Lorik Cana.

“Bosnja mbetet ndër favoritët kryesorë, ndoshta mbas Francës, për t’u kualifikuar, sepse ka një skuadër shumë të fortë. Kështu që ne duhet të jemi shumë mirë të përgatitur, pasi ne do të luajmë si mysafirë. Andaj, për dallim prej duelit të saj me Rumaninë, sigurisht që do të jetë një Bosnje ndryshe ndaj nesh”, ka deklaruar Cana.

“Sigurisht se ne do të mundohemi ta kapim një rezultat sa më pozitiv. Për mendimin tim, barazimi eventual do të ishte një rezultat shumë pozitiv për ekipin tonë”, ka theksuar Cana.

Susic kërkon fitore kundër Shqipërisë

Selektori i përfaqësueses së Bosnjës dhe Hercegovinës, Safet Susic është shqetësuar me humbjen që e pësoi skuadra e tij, të premten mbrëma, nga Rumania, me rezultat 3:0, në kuadër të kualifikimeve për ‘Euro 2012’.

Kjo humbje ua ka përkeqësuar gjasat boshnjakëve për t’u kualifikuar nga Grupi D, ku kanë bilanc prej 7 pikëve nga pesë ndeshje të zhvilluara. Ndërsa, Rumania me fitore u ngjit në kuotën e tetë pikëve, aq sa ka edhe Shqipëria, por e cila ka një ndeshje më pak të zhvilluar – pikërisht atë ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës.

Susic i ka kritikuar ashpër futbollistët e tij për paraqitjen e dobët që e patën në Rumani dhe njëkohësisht u bëri thirrje atyre që të përmirësohen dukshëm për ndeshjen e tyre të radhës që do ta zhvillojnë të martën në shtëpi ndaj Kombëtares së Shqipërisë.

“Ky është turp. Është përgjegjësi edhe e imja dhe nuk i shmangem kësaj. Kam gabuar që u kam besuar këtyre futbollistëve, të cilët nuk janë as “f” prej futbollistëve. Ata nuk janë të vetëdijshëm për dobësitë e tyre dhe nuk është çudi që shumica janë rezervistë në klubet e tyre. Rumania na mundi me meritë”, tha Susic për Dnevniavaz.

Por, pushim për boshnjakët nuk ka. Të martën mbrëma në Zenicë ata do të ballafaqohen me Shqipërinë. I pyetur se si do t’ia bëni ndaj kuqezinjve, Susic është përgjigjur: “Nuk e di, vërtet. Me këtë lojë nuk mund ta mposhtim as Luksemburgun, por duhet të mundohemi të fitojmë. Me siguri do t’i bëj dy-tri ndryshime, sepse nuk kam kuadër për të bërë ndërrime radikale”, u shpreh ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›