Kosovarët e mbytur, gjenden të tjera trupa në lumin Tisa
Shkon në pesë numri i viktimave të mbytura në lumin Tisa. Policia e Serbisë, siç bën të ditur e përditshmja "Koha Ditore", ka gjetur edhe dy kufoma që dyshohet të jenë trupat e kosovarëve të mbytur nga përmbysja e një varke, me të cilën dyshohet se 19 persona po kalonin ilegalisht nga Serbia përmes lumit Tisa për në Hungari. Burime të kësaj gazete kanë bërë të ditur se një kufomë e një vajze rreth 10-vjeçare është gjetur të martën rreth orës 14:00 pranë vendit të quajtur Adorjana, rreth 5 km larg Kanjizhës, ku janë gjetur edhe dy kufoma të tjera. Ndërkaq, rreth orës 17:00, pranë vendit ku besohet të jetë mbytur varka, është gjetur trupi i një të riu të moshës 20-30 vjeçare. Gjykatësi hetues i Serbisë, Erne Berenji, ka konfirmuar për gazetën "koha ditore" gjetjen e këtyre dy kufomave. Ai ka thënë se tek viktimat nuk janë gjetur dokumente identifikimi. Dy trupat e pajetë janë dërguar në morg për tu ekzaminuar nga ekspertët. Policia serbe dyshon se bëhet fjalë për 4 femra, 5 meshkuj dhe të tjerët fëmijë që janë mbytur në lumë