E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovarët për NBA

Union Olympia synon t’i transferojë në Lubjanë edhe disa basketbollistë të rinj kosovarë, pasi kjo skuadër është ndarë shumë e kënaqur me Gëzim Morinën dhe Erjon Kastratin. Skauti i klubit slloven, Dragan Janjiç, beson se Morina apo Kastrati në të ardhmen mund të luajnë në ligën më të fortë të basketbollit, NBA. Nga Valon Konushevci më 21 janar 2011 në ora 12:45

Klubi i njohur slloven, Union Olympia kohëve të fundit ua ka vërë syrin talentëve të basketbollit në Kosovë.

Kjo, pasi ky klub është ndarë shumë i kënaqur me transferimin e dyfishtë që e kishte bërë në vitin 2008, kur nga Kosova në Lubjanë kishte transferuar talentët Gëzim Morina dhe Erjon Kastrati.

Andaj, në një të ardhme të afërt, në Lubjanë mund të transferohen edhe talentë tjerë nga Kosova. Këtë mundësi nuk e përjashton as skauti i Union Olympias, Dragan Janjiç, i cili e kishte realizuar transferimin e Morinës dhe Kastratit në klubin slloven.

“Kur klubit ia pata propozuar transferimin e Morinës dhe Kastratit, të gjithë ishin skeptikë që në Kosovë mund të ketë basketbollistë me potencial. Por, pasi Morina dhe Kastrati erdhën në Slloveni, i befasuan të gjithë, madje edhe skautët amerikanë, të cilët e kanë vlerësuar lart potencialin e dy shqiptarëve”, ka deklaruar Janjiç për Express.

Të dy kosovarët aktualisht luajnë për ekipin e të rinjve të Union Olympias. Zyrtarët e Union Olympias po punojnë shumë në këtë ekip me basketbollistë të rinj, me të cilët brenda tri-katër vitesh synojnë të kualifikohen në play-off të Euroligës.

“Olympia nuk është klub i pasur siç është Barcelona apo Real Madridi. Por, ne punojmë me sukses me gjenerata të reja. Jemi duke e ndërtuar një skuadër me basketbollistë të rinj dhe cilësorë që brenda tri-katër vitesh të kualifikohemi në play-off të Euroligës. Në mesin e tyre janë edhe Morina e Kastrati, të cilët janë shumë të talentuar dhe që po krahasohen me ish yje të basketbollit evropian”, ka theksuar Janjiç.

“Nëse një basketbollist kosovar luan në Euroligë me Union Olympian, do të ishte një nder për Kosovën. Kjo do të dëshmonte se Kosova ka basketboll dhe ka potencial për të ardhmen”, shtoi ai.

Ndërkohë, lëvdatat e tij për Morinën e Kastratin nuk ndaleshin. Ky i fundit i kishte vetëm 14 vjet kur iu bashkua klubit slloven, derisa Morina ishte 16 vjeç. Morina sot është 18 vjeç, kurse Kastrati ka mbushur 16.

Janjiç thotë se të dy këta janë lojtarë të dalluar në ekipin e të rinjve të Union Olympias. Ai është optimist se nga ekipi i të rinjve të Olympias në të ardhmen ndonjë basketbollist do të transferohet në ligën më të fortë në botë, NBA.

“Deri tash, klubi ynë i ka prodhuar 18 lojtarë për NBA. Në skuadrën tonë edhe tani i kemi disa basketbollistë tjerë me talent të jashtëzakonshëm dhe që një ditë dikush nga ta mund të luajë në NBA. Në mesin e tyre janë edhe Gëzim Morina e Erjon Kastrati. Të paktën, njëri prej këtyre dy lojtarëve nga Union Olympia një ditë mund të transferohet në NBA. Normalisht, për t’u bërë kjo realitet, ata lojtarë duhet të kenë edhe ndihmën e fatit”, pohoi ai.

Këto deklarata Janjiç i bëri gjatë një vizite që ia bëri Kosovës të mërkurën dhe të enjten. Ai tha se ka ardhur në vizitë private në shtetin më të ri në botë, por Express ka mësuar se Janjiç i ka vërejtur edhe dy talentë tjerë, të cilët më vonë mund t’i transferojë në Union Olympia.

Ndërkohë, edhe vetë Janjiç nuk e ka përjashtuar mundësinë që pas Morinës dhe Kastratit, në Lubjanë të transferohet edhe ndonjë tjetër kosovar.

“Kësaj here vij në vizitë private në Kosovë për t’i vizituar disa miq që kam këtu, si trajnerin Ibrahim Karabegu, zyrtarin e Sigal Prishtinës, Ymer Stanovci, babanë e Gëzim Morinës dhe atë të Erjon Kastratit. Pra, nuk kam ardhur me qëllim që të marr lojtarë nga Kosova. Por, nëse gjendet ndonjë lojtar me talent, ai është i mirëseardhur në Union Olympia”, tha ai, duke shpjeguar se edhe në të kaluarën e ka vizituar vendin tonë, madje edhe paraluftës ai tha se ka qenë në Kosovë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›