E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovarja e Kanadasë

"…Tringa është e njohur edhe për punën e saj të bamirësisë. Ajo ka ngritur një fond për të blerë 10 000 libra për tua dërguar fëmijëve të Ugandës nëpërmes një organizate ndërkombëtare.…" Aktorja e re kosovare Tringa Rexhepi është duke u konsideruar si ylli i ri i kinematografisë dhe teatrit në Kanada.

Shumë media kanadeze tashmë kanë filluar të shkruajnë për këngëtaren dhe aktoren, e cila di të luajë në shumë instrumente muzikore dhe di të bëjë regji teatri.

Ndryshe, Tringa Rexhepi ka lindur në vitin 1991 në Kosovë dhe vjen nga një familje artistësh. Babi i saj Zeqirja Rexhepi është muzikant, ndërkaq nëna e saj, aktorja Bedrije Rexhepi është një ish aktore.

Familja Rexhepi emigroi në Kanada qysh në vitin 1999 nga kampi refugjatëve në Stankovec, kur Tringa kishte vetëm gjashtë vjet. Pas emigrimit në Kanada, artistja e re filloi studimet për kitarë, piano, violinë dhe stile të ndryshme të vallëzimit. Ajo luajti në 13 shfaqje në Kanada para se të mbushte 17 vjet.

Aktorja e re ishte edhe themeluese e një produksioni teatror dhe regjisore e shfaqjes Trebled Youth Vocal Ensemble.

Edhe pse e re, Tringa ishte asistente e mësueses në Kolegjin Maritime për Arte Skenike.

Ajo ishte edhe gjysmëfinaliste në programin e David Foster, Search Atlantic dhe bëri zërat përcjellës në koncertin Share the Dream Concert bashkë me legjendën e xhazit kanadez Jackie Richardson.

Së fundi Tringa ka bërë edhe debutimin e saj në TV Serialin Soul, ku ka luajtur në gjashtë episode. Në këtë serial ajo e kishte mundësinë të luajë përkrah aktorëve të njohur si Michael Beach dhe fituesen e çmimit Juno, Keshia Chante.

Tringa është e njohur edhe për punën e saj të bamirësisë. Ajo ka ngritur një fond për të blerë 10 000 libra për tua dërguar fëmijëve të Ugandës nëpërmes një organizate ndërkombëtare. Ajo gjatë kësaj periudhe organizoi koncerte në mbështetje të një shtëpie për gratë e braktisura, ku arriti të fitojë rreth 2 milionë dollarë.

Tringa po ashtu është e nominuar për bursën kombëtare kanadeze Loran. Ajo është studentja e parë nga shkolla e saj që është nominuar për këtë çmim pas 30 viteve.

Tringa ishte edhe asistente e regjisë në disa shfaqje gjatë pushimeve të Krishtlindjes si në Dear Santa, që u dha premier në Eastern Theater.

Momentalisht ajo është duke punuar për një album, të cilit nuk do i bëjë update në ueb-faqen e saj, derisa ta lëshojë në treg.

Ajo do të studiojë muzikën për teatër pas përfundimit të shkollës së mesme.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›