Teos Angjelopulos, i ftuari i veçantë i TIFF '09
Regjisori me famë botërore, fituesi i Palmës së Artë në Festivalin e Kanës (Përjetësi e një ditë, 1998), më 6 dhjetor në Tiranë
Kur flasin për të ftuarit e këtij viti, programuesit e festivalit, Thomas Logoreci dhe Genc Përmeti, e fillojnë me emrin e regjisorit grek Angjelopulos. Ai ka konfirmuar ardhjen dhe pritet të jetë në Tiranë në ditën e mbylljes së festivalit, më 6 dhjetor. Kurse ftesa e hapjes i është bërë regjisorit serb, Goran Paskaljeviçit, i cili para pak ditësh u nderua me çmimin e karrierës në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Selanik. Pas "Olympia Theatre" të Selanikut, më 19 nëntor, "Muajt e mjaltit", fituesi i çmimit "Golden Spike" në Valladolid të Spanjës dy javë më parë, shfaqet premierë më 27 nëntor në TIFF, mbrëmjen e hapjes. Ftesat e tjera të veçanta, sipas Logorecit i takojnë emrave të jurisë. Joshua Marston, regjisor i filmit "Maria Full of Grace" (2004), Ben Rivers regjisor i njohur për filmin e shkurtër eksperimental, si dhe gazetari i "Iva Right", Nick Holdsworth, janë në jurinë ndërkombëtare përzgjedhëse.
Filmat përshëndetës të festivalit janë përzgjedhur "Akadimia Platonos" e regjisorit Filippos Tsitos's, dhe dy filma "La perla" dhe "The severage innocents" të pashfaqur më parë, të marra nga Arkivi Qendror i Filmit. Kurse, kinemaja kineze e viteve '70 prezantohet me filmat "Nga fitorja në fitore", "Kalim në lumin Jance" etj. "Qëllimi i këtyre filmave ka qenë indoktrinimi. Tani duke i parë me një tjetër këndvështrim, kinemaja e viteve '70 kthehet në një lloj argëtimi për publikun", - pohon Përmeti.
Këtë vit, TIFF i kushton një atribut të veçantë regjisorit shqiptar Viktor Gjika, i cili u nda nga jeta në mars të këtij viti. Në një mbrëmje të veçantë shfaqen filmat "Debatik" (1961), "Rrugët e bardha" (1974), "Komisari i dritës" (1966), "Gjeneral Gramafoni" (1978), të subtitruar në anglisht.
Risitë e TIFF '09
Përveç emrit (Festival i Filmit të Gjatë) dhe vendit ku do të zhvillohet (Teatri Kombëtar), për drejtorin Ilir Butka, edicioni i shtatë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë, pritet të ketë një sërë risish. Pak ditë përpara hapjes, më 27 nëntor, ai shpjegon rëndësinë e kalimit në Festival të Filmit të Gjatë, prurjet e këtij viti dhe filmat që kanë hyrë në konkurrim. Për 10 ditë, deri më 6 dhjetor, në skenën e madhe të Teatrit Kombëtar projektohen për publikun rreth 15 filma me metrazh të gjatë, kurse në skenën e vogël rreth 100 filma me metrazh të shkurtër, hyrja falas për publikun.
Z. Butka, jemi vetëm 5 ditë përpara hapjes së Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër në Tiranë. Çfarë risish ka këtë vit?
Ka një sërë risish, por ia vlen të përmendet kalimi nga Festivali i Filmit të Shkurtër në një Festival të Filmit të Gjatë gjë që e kuoton në një Festival të Mirëfilltë Ballkanik, atribut të cilin e kishte deri në këtë moment, por duke qenë se materia, të cilën ai trajtonte i përkiste vetëm filmit të shkurtër, e penalizonte drejt festivaleve të këtij lloji në rajon. Seksioni i filmit të gjatë u ndërtua në bazë të prurjeve që kaluan çdo lloj pritshmërie në numrin e filmave që aplikuan. Kisha caktuar një target shumë më të ulët, në fakt që në edicionin e parë aplikuan rreth 100 filma, të cilët u votuan dhe u vlerësuan më vonë se ç'kishin aplikuar te ne me çmime ndërkombëtare. Pra, praktikisht kemi një përmbajtje në këto dy kategori, kategoria e filmit të gjatë dhe filmit të shkurtër. Seksioni i filmit të shkurtër qëndron në të njëjtat pozita siç ka qenë më përpara, sepse e kishte të konsoliduar strukturën prej 6 edicionesh ndërkohë filmi i gjatë ka testin e parë. Është një test që do të kalojë nëpërmjet analizës së bërë nga një juri ndërkombëtare prestigjioze. Po ashtu një juri tjetër do të jetë për filmin e shkurtër. Kemi edhe seksionin e filmit shqiptar, ku do të marrin pjesë filma të selektuar shqiptarë nga autorë të rinj. Në përzgjedhje është përdorur kriteri artistik. Është konceptuar si një seksion që i ka dyert e hapura për ata që kanë punuar dhe përpiqen t'i afrohen botës së kinemasë, duke pasur parasysh edhe prurjet studentore të Akademisë së Arteve dhe ajo private "Marubi". Duhet marrë në konsideratë puna e atyre që punojnë jashtë Shqipërisë, kinematografi në kushte të tjera, në situata të tjera dhe në atmosferë tjetër, por që mund të sjellin një prurje interesante për kinematografinë shqiptare.
Gjithashtu, është fluksi i atyre që aplikojnë në TIFF për kompeticionin ndërkombëtar, por që nuk i plotësojnë kriteret për hir të konkurrencës së fortë që ekziston.
Ç'ndodh me këta filma?
Është e natyrshme që gara është e fortë dhe duke qenë kështu, është e natyrshme që ishim të detyruar të sakrifikonim për hir të programacionit, sepse ai ka limitet e veta, në mundësinë e prezantimit të të gjithë filmave në garë, në mundësinë e ndjekjes nga ana e jurisë së të gjithë filmave. Filmat që nuk hyjnë dot në kompeticionin ndërkombëtar, flas për filma të huaj dhe ato filma që nuk do të hynin dot në seksionin shqiptar, ne menduam t'i klasifikonim në një seksion të ri, që e eksperimentojmë pikërisht këtë vit. Është një seksion televiziv. Kemi krijuar një dritare mediatike, televizive. Një platformë me pagesë, na ka lejuar dhjetë ditë transmetim të pandërprerë. Është një seksion që ne e kemi ndërtuar për filmat që nuk hyjnë në konkurrim, por që u jepet mundësia për t'u shfaqur në televizion. Që në këtë moment loja bëhet më e hapur, një publik më pak i interesuar direkt për kinemanë, por që në njëfarë mënyre ne do të provojmë ta edukojmë dhe ta kultivojmë mund të tregojë interes ndaj filmit të shkurtër, ndaj filmit të gjatë, ndaj filmit dokumentar, animacionit. Mund të afrohet pak më shumë me festivalin, duke krijuar një shpresë që publiku i kinemasë të fillojë të rritet, falë këtyre formave të promocionit.
Çfarë prurjesh ka pasur këtë vit?
Janë mbi 800 filma, mbi 80 vende të botës. Janë prurje të respektueshme për çdo festival. Seksioni i kompeticionit ndërkombëtar është një seksion, i cili së bashku me seksionet e tjera ka arritur të përzgjedhë rreth 20 vende pjesëmarrëse.
Është një selektim i prerë, rigoroz. Mund të ishte më liberal, por duke u nisur nga kriteret artistike, selektorët menduan që do të ishte më e drejtë që të ofrohej një produkt më i kontrolluar dhe më me garanci, për sa i përket kontributeve artistike.
Sa filma kalojnë në konkurrim?
Rreth 100 filma të shkurtër te seksioni ndërkombëtar dhe 15-20 filma të gjatë te seksioni i filmit të gjatë. Filmat shqiptarë janë akoma duke u selektuar, sepse presim një prurje e cila është goxha e pasistemuar. Përgjithësisht, autorët shqiptarë duke qenë se janë afër nesh, nuk kanë nevojë të kalojnë nëpërmjet filtrit të postës, vonesave etj. E sjellin dorazi filmin, duke krijuar kështu edhe një lloj vonese në dorëzim dhe mungese korrektësie. Megjithatë është një gjë që do të superohet me kalimin e kohës dhe deri tani nuk ka krijuar ndonjë problem.
Ndonjë risi tjetër që u la pa thënë gjatë bisedës?
Përveç seksionit të filmit të gjatë, unë këmbëngul që hapja e seksionit televiziv, është një lloj risie për sa i përket përafrimit të kinemasë me botën televizive. Shpesh i kemi parë të dy në fronte të kundërta. Duket sikur televizioni i ka marrë të drejtën kinemasë për shikueshmëri, për klientelë. Në këtë rast do të ishte një kombinim ideal në qoftë se ne i përafrojmë këto dy mediume dhe përpiqemi të marrim më të mirën. Filmat vetë janë produkte mediatike që promovohen nëpërmjet festivaleve. Festivali është promotor i produkteve mediatike që janë filmat. Po vetë festivalet nga do të promovohen? Është një cikël që duhet të mbyllet. Nëse ne nuk do ta shikonim në televizionet e huaja, Venecian, Berlinin, Oscarin ne nuk kishim kurrë për ta kuptuar se ç'rëndësi dhe ç'vlerë ka. Pra, ajo që unë kam kërkuar gjithmonë është të gjej një lloj lidhjeje dhe të krijoj një trekëndësh, Film-Festival-Televizion, duke u kopsitur. Duke arritur një kombinim të këtyre tre elementeve, ne kemi mundësi vërtet të marrim, produkt të përbashkët, që nuk interferojnë me njeri-tjetrin, nuk dëmtojnë njeri-tjetrin. Nuk i bën armiq me njeri-tjetrin, por janë kontribuues për të arritur sa më mirë përpara shikuesit. Këtij festivali i duhej një klimë pozitive të përbërë nga vëmendja e shumë faktorëve, siç është publiku, institucionet, privati, media. Të gjitha këto së bashku krijojnë një event. Kjo është sfida e këtij viti.