E Shtunë, 31 Tetor 2026

A ishte Shqipëria parajsë për Kosovën?

Iluzionin e një kosovari për Shqipërinë parajsë, dëshirën e shqiptarit për të migruar në tokën italiane, duke kaluar nëpër tokën jugosllave, regjisori Arben Kastrati i ka bërë bashkë në filmin “Toka mes dy kufijve”. I nisur nga dëshira për të pasqyruar realitetin e viteve ‘80, kur shqiptarët, përveç emrit, nuk i bashkonte asgjë tjetër, Kastrati, dy vjet më parë kishte nisur xhirimet për film. Pas shumë vështirësive, veprën e tij të fundit ka arritur ta shfaqë premierë në Prishtinë, në ekranin e madh të Shkollës Amerikane të Kosovës.

Tre shqiptarë, ai i Shqipërisë, i Kosovës dhe i Maqedonisë janë ata që bartin tregimin e “Toka mes dy kufijve”. Në kërkim të fatit, takimi i tyre në tokën ku kufijtë nuk kanë kuptim është i rastësishëm. Të tre përballen me fatin e njëjtë, 25 vjet burg.

“Nga realiteti më ka ardhur kjo ide për film”, - ka thënë regjisori Arben Kastrati, pas premierës. Ai ka bindjen se tema që ka trajtuar do të zgjojë interesimin e publikut, jo vetëm të atij kosovar.

“Fillimisht, kur kam filluar projektin e këtij filmi, kam pranuar mbështetjen e një producenti gjerman, i cili më ka thënë se këto tema janë gjithnjë për trajtim dhe kuptohen edhe nga audienca e gjerë si nga ajo gjermane, spanjolle apo franceze, sepse histori të tilla pothuajse të njëjta kanë kaluar të gjithë popujt”, - ka thënë Kastrati, teksa në shaka ka shtuar se historia e vështirësisë për t’i bërë bashkë shqiptarët ka qenë e pranishme edhe gjatë xhirimit të këtij filmi.

“Pasi e kemi pasur të vështirë të xhirojmë në trevat e tri personazheve, ku ka ndryshim distancash, kemi zgjedhur Strugën e Maqedonisë si vendin që përmban elemente nga të tria vendet”, - ka thënë Kastrati.

Aktori nga Maqedonia që në film luan rolin e ushtarit Rifat, Muzbajdin Qamili është shprehur i kënaqur me atë që ka parë natën e premierës. Ai ka folur edhe për përvojën në realizimin filmit. “Ka qenë shumë vështirë t’i përshtatem personazhit, për shkak se ka pasur gjëra që unë nuk kam dashur t’i bëja”, - ka thënë Qamili. Një përshtypje të mirë për filmin ka dhënë edhe regjisorja kosovare Burbuqe Berisha.

“Ajo që është më e vlefshme në këtë film, i cili ka bashkuar aktorët shqiptarë, është se kufijtë kulturorë të shqiptarëve janë duke u hequr dhe po krijohen urat e bashkëpunimit, gjë që është shumë me rëndësi”, - ka thënë Berisha, teksa nuk ka hezituar të lavdërojë trajtesën e filmit dhe lojën e aktorëve.

Re. Ku.

Nga Bibliografia te Webografia e librit shqip

Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës bashkë me Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë organizojnë, në Prishtinë, më 23 - 24 nëntor 2009, Konferencën Kombëtare të Bibliotekonomisë me temën: “Nga Bibliografia te Webografia e librit shqip”.

Kjo konferencë është organizim i përbashkët i këtyre dy institucioneve më të rëndësishme të bibliotekarisë dhe mbahet nën kujdesin dhe mbështetjen e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve të Shqipërisë. Në këtë konferencë, në të cilën pritet të paraqiten kumtesa nga njohësit më të mirë - me formim kulturor dhe bibliotekar, nga Shqipëria dhe Kosova, do të analizohen praktikat e deri tanishme si dhe arritjet në punën e ruajtjes, përpunimit dhe bartjes së informacioneve bibliografike të librit shqip nga format tradicionale të botimeve në formatin libër, në plasimin, përkatësisht shpërndarjen e informacionit bibliografik të librit shqip nëpërmjet rrjetit të internetit.

Re. Ku.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›