Kosovarja e “parkon” veturën në kopshtin e restorantit

Një grua kosovare e ka “parkuar” veturën e saj në mes të dy tavolinave të kopshtit të një restoranti në Allschwill të Basellandit. Gruaja 46 vjeçare e kishte humbur kontrollin mbi veturë në një kthesë në të djathtë afër restorantit “Jägerstübli”, pas së cilës vetura e saj ka vazhduar duke kaluar edhe rrethojat e kopshtit të restorantit për të përfunduar në mes të dy tavolinave. Mysafirët që ndodheshin aty ia kanë që në momentin e fundit të largohen nga ato dy tavolina dhe kanë shpëtuar, transmeton portali Albinfo.
Në këtë aksident askush nuk ka pësuar lëndime, por janë shkaktuar dëme materiale në restorant dhe në veturë.
Policia pasi erdhi në vendin e ngjarjes konstatoi se gruaja e kishte zëvendësuar në timon bashkëshortin e saj, i cili kishte pasur dhembje të papritura. Shkaktarja e aksidentit e kishte një patentë shoferi nga Kosova, të cilit i kishte kaluar afati për përdorim në Zvicër. Ndaj saj është ngritur padi./Indeksonline/