Rekord historik për prodhimin e naftës në SHBA

Shtetet e Bashkuara të Amerikës regjistruan gjatë vitit 2012 sasinë më të madhe të nxjerrjes dhe përpunimit të naftës vendase ndonjëherë, tregojnë të dhënat zyrtare të publikuara ditën e mërkurë.
Prodhimi u ndihmua edhe nga disa teknika të reja të vendosura në funksionim në impiantet e gjigantit “BP”, që mundëson nxjerrjen e rezervave në det.
SHBA është një prej vendeve me rezervat më të mëdha të naftës në botë, por ndër vite ka qenë politikë e Washingtonit që të ruajë rezervat e tij dhe të importojë naftën e nevojshme nga jashtë, transmeton TCH.
Megjithatë, rritja drastike e çmimit të naftës në vitet e fundit ka bërë që ekonomia më e madhe e botës të varet gjithmonë e më shumë në prodhimin vendas.
Në rang botëror, konsumimi i energjisë u rrit me 1.8%, në vitin 2012, me Kinën dhe Indinë që kontribuuan në 90% të kësaj rritje.
Një tregues i qartë i ndryshimeve që pëson ekonomia botërore është fakti se 56% e naftës dhe gazit të konsumuar i përket ekonomive të vendeve në zhvillim, nga 42%, para 20 vjetëve.
Ndërkohë, Kina u shndërrua gjatë vitit në konsumatorin më të madh të qymyrit në botë, për herë të parë në historinë e saj.