E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë- Luksemburg, ndihmë zhvillimore prej 24 milionë Euro

PRISHTINË- Gjatë ditës së dytë të vizitës në Luksemburg, ministrja e Integrimit Evropian,Vlora Çitaku, u takua me ministren për Bashkëpunim Zhvillimor të Qeverisë së Luksemburgut, Marie-Josee Jacobs.

Ministrja Çitaku dhe ministrja Jacobs nënshkruan Marrëveshjen për Bashkëpunim Zhvillimor dhe Memorandumin e Mirëkuptimit, në bazë të së cilës Qeveria e Luksemburgut do të japë 24 milionë euro asistencë zhvillimore për Kosovën për katër vite të ardhshme.

Prioritetet e identifikuara për asistencen zhvillimore janë: shëndetësia, arsimi profesional dhe uji, sapo njoftohemi në komunikatën e dërguar nga Luksemburgu, nga ministia kosovare.

Takimi ishte po ashtu takimi i parë dhe konstitutiv i Komisionit të Nivelit të Lartë të Partneritetit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Luksemburgut. Gjatë takimit ministrat disktuan mbi zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe diskutuan në menyrë konstruktive dhe të hapur mbi bashkëpunimin zhvillimor ndërmjet Kosovës dhe Luksemburgut.

Gjatë takimit Ministrja Çitaku, tha se, "Luksemburgu ka qenë gjithnjë një nga partnerët më të afërt të Kosovës. Eshtë një nga vendet e para që kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Nënshkrimi i sotëm i Marrëveshjes për Bashkëpunim Zhvillimor është përkrahje e qartë politike dhe financiare për reformat ekonomike dhe sociale të Kosovës".

"Kjo marrëveshje do të shërben si model për donatorë të tjerë dhe agjencitë zhvillimore. Asistenca financiare do të përdoret për të përmirësuar ofrimin e shërbimeve për qytetarët e Kosovës në shëndetësi, arsim profesional dhe ujëra. Shprehi falenderimin e Qeverisë së Kosovës për përkrahjen e vazhdueshme të Qeverisë së Luksemburgut për agjenden zhvillimore të Kosovës", theksoi Çitaku.

Ndërsa, ministrja Jacobs, tha se, "kam nderin të takoj sot Ministren Çitaku, disa ditë pas arritjes së marrëveshjes historike për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Po ashtu, i përgëzoj institucionet e Kosovës për rekomandimin e Komisionit Evropian për fillimin e negociimit të MSA-së me Kosovën".

"Qeveria e Luksemburgut ka mbështetur gjithnjë përspektivën Evropiane të Kosovës dhe në këtë drejtim mbështesim plotësisht rekomandimin e Komisionit Evropian për fillimin e negociatave për MSA", tha Jacobs duke shtuar se, sa i përket marrëveshjes bilaterale zhvillimore, ne jemi shumë të kënaqur që sektorët e përzgjedhur reflektojnë prioritetet dhe planet e Qeverisë së Kosovës.

Ministrja Jacobs u shpreh se, "dëshira jonë për të avancuar marrëveshjen bilaterale relfekton njohjen e pjekurisë së intitucioneve të Republikës së Kosovës dhe partneritetit të Kosovës dhe Luksemburgut. Kjo marrëveshje është arritur në kohën kur Luksemburgu është duke ngritur Zyrën tonë në Prishtinë në nivelin e Ambasadës".

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›