Kosovë, familjarët kërkojnë më shumë presion për të pagjeturit

Familjarët e rreth 1797 personave të pagjetur në Kosovë i kërkuan Komisionit Qeveritar për persona të pagjetur që të bëjë më shumë presion tek qeveria e vendit dhe autoritetet ndërkombëtare rreth kësaj çështjeje.
Gjatë takimit të fundit për këtë vit, ata shprehën shqetësimin e tyre për “neglizhencën e dëshmuar” në këtë drejtim nga autoritetet përgjegjëse, përfshirë edhe EULEX-in.
“Komisioni qeveritar është munduar që të bëjë më të mirën, por nuk mund të bëjë asgjë pa mbështetjen e kryeministrit dhe të Bashkësisë Ndërkombëtare”, tha Nysrete Kumnova, kryetare e shoqatës “Thirrjet e Nënave” nga Gjakova.
Ajo theksoi nevojën për një presion të shtuar edhe ndaj Beogradit zyrtar. Për këtë ishte zotuar edhe shefja e delegacionit kosovar në bisedime me Serbinë, Edita Tahiri, e cila caktoi si udhëheqës të ekipit teknik për persona të pagjetur, Pajazit Nushin.
Ndërsa, kryetari i komisionit qeveritar për persona të pagjetur në Kosovë, Prenk Gjetaj, njoftoi se brenda vitit të kaluar delegacioni kosovar e ai serb kanë mbajtur gjithsej katër takime.
I pyetur për ndikimin politik në çështjen e personave të pagjetur, Gjetaj u shpreh:
“Për shkak të zhvillimeve dhe ngjarjeve që ndodhën prej korrikut e ktej natyrisht se kjo çështje ka mbetur ashtu. Mirëpo nuk është hequr nga rendi i ditës- bazuar nga informacionet që unë kam nga shefja e delegacionit të Prishtinës”, tha ai.
Problem tjetër me të cilin ballafaqohet Kosova është dhe mungesa e përpjekjes dhe vendimmarrjes për Morgun e Prishtinës, në të cilin gjenden mbi 400 mbetje mortore.