Kosovë, 1343 persona të akuzuar për mashtrim në zgjedhje

Prokuroria e Shtetit ka publikuar raportin lidhur me lëndët që kanë të bëjnë me keqpërdorimet në zgjedhjet e parakohshme të 12 dhjetorit 2010 në Kosovë.
Sipas raportit nga 30 dhjetori 2010 e deri më 9 janar 2011, ka marrë 191 raste, “përmes të cilave subjektet politike, kandidatët, shoqëria civile dhe vëzhguesit e zgjedhjeve, kanë paraqitur ankesa lidhur me parregullsitë që kanë shënuar procesin e zgjedhjeve”.
Në këtë kuadër, theksohet se Prokuroria Komunale në Prishtinë ka pranuar raste nga të cilat “janë akuzuar 147 persona, për vepër penale mashtrim në votim”.
Më tej theksohet se Gjykata Komunale në Prishtinë ka marrë gjashtë aktgjykime, përfshirë katër raste dënim me gjobë, një rast dënim me kusht dhe një aktgjykim refuzues.
Gjykata Komunale në Gllogovc ka marrë gjashtë aktgjykime, në të cilat “ka shqiptuar dënim me burg, duke i zëvendësuar me dënim me gjobë”.
Prokuroria Komunale në Prishtinë ka ushtruar ankesë kundër aktgjykimeve në 10 raste.
Prokuroria e Shtetit ka paraqitur të dhëna edhe për paditë në Gjilan, Ferizaj, Gjakovë, Mitrovicë, Prizren dhe Pejë.
Sipas rezultateve të pranuara nga Prokuroritë Komunale të Kosovës, deri tani janë akuzuar 1343 persona, që kanë të bëjnë me vepër penale të mashtrimit në votime dhe për keqpërdorim të së drejtës së votimit. Planifikohet që lista e akuzuarve në vazhdim të përfshijë edhe 931 persona të tjerë.
Në fund të njoftimit të Prokurorisë së Shtetit theksohet se sipas statistikave paditë që kanë përfunduar me aktgjykime, “kryesisht janë pasuar me dënime me kusht dhe dënime me gjobë, si dhe tri raste dënime plotësuese, ku komisionerëve u është shqiptuar ndalimi i ushtrimit të profesionit në një kohëzgjatje prej katër vitesh”.