Kosovë, moti i keq, Kaçaniku shpallë gjendje emergjente

Ekzekutivi i Kaçanikut ka shpallur gjendjen emergjente në territorin e komunës, pas reshjeve të fundit të borës.
“Në takimin e sotëm ekzekutivi komunal ka marrë vendim për shpalljen e gjendjes emergjente në tërë territorin e komunës”, ka theksuar Hajrush Dullovi, zëdhënës i KK të Kaçanikut.
Në këtë kontekst, ai ka pohuar se është vendosur që mësimi në shkollat fillore dhe të mesme të mos zhvillohet të enjten dhe të premten.
“Reshjet e pandërprera të borës të shoqëruara me erë të fuqishme kanë krijuar ortekë që i kanë bllokuar shumicën e rrugëve në territorin e komunës”, ka nënvizuar zëdhënësi Dullovi. Sipas tij, kompania përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugëve është duke punuar pa ndërprerje me tërë potencialin e saj për zhbllokimin e rrugëve.