E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, 186 zyrtarë të lartë nuk kanë deklaruar pasurinë

Plot 186 zyrtarë të lartë publikë në Kosovë nuk e kanë deklaruar akoma pasurinë e tyre, megjithëse afati ligjor për deklarimin nga zyrtarët e lartë të institucioneve publike të Republikës së Kosovës ka përfunduar që më 31 mars.
Agjencia Antikorrupsion thotë se në bazë të Ligjit për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë dhe Dhuratave (LDPKPDH), numri i zyrtarëve të lartë të cilët kanë për obligim të deklarojnë pasurinë është 1560. Prej tyre 1374 apo 88.07 % e zyrtarëve të lartë publikë e kanë deklaruar pasurinë, ndërsa 186 zyrtarë të lartë publikë ende nuk e kanë këtë.
Në mesin e zyrtarëve të lartë publik të cilët e kanë deklaruar pasurinë janë edhe udhëheqësit kryesorë të institucioneve të Republikës së Kosovës, si: Presidenti i Republikës, Kryetari i Kuvendit, Kryeministri, dy zv-kryeministrat. Ndërsa nga niveli i ministrave, pasurinë e tyre e kanë deklaruar 16 nga 17 ministra.
Po ashtu këtë obligim ligjor e kanë përmbushur edhe Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Kryetari i Gjykatës Supreme, Kryeprokurori i Kosovës, Rektori i Universitetit të Prishtinës, udhëheqësit e agjencive.
Nga 37 komuna të Republikë së Kosovës kanë deklaruar pasurinë 25 kryetarë të komunave, po ashtu nga 29 ndërmarrje publike kanë deklaruar pasurinë 25 udhëheqës të tyre.
Agjencia Antikorrupsion thotë se brenda afatit ligjor do të publikojë në faqen e vet të internetit formularët e deklarimit të pasurisë dhe emrat e zyrtarëve të lartë publikë që nuk e kanë deklaruar pasurinë, po ashtu do të trajtojë çdo rast të mos deklarimit dhe do të veprojë konform ligjit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›