Kosovë, AAK-ja nuk hyn në koalicion pa LDK-në
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka marrë vendim që të mos jetë pjesë e qeverisë së Kosovës, nëse Partia Demokratike e Kosovës nuk e fton në bashkëqeverisje Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Këshilli drejtues dhe Kryesia e AAK-së pas përfundimit të mbledhjes kanë paraqitur një deklaratë për media me ç’rast shprehin bindjen se rrugëdalja më e mirë nga rrethanat aktuale në të cilën gjendet Kosova është krijimi i një koalicioni më të gjerë, ndërmjet PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, si mundësi për të tejkaluar situatën aktuale.
“Në rast se ky koalicion i gjerë nuk ndodh, atëherë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që nga data 8 shkurt vendos përfundimisht të mbetet parti opozitare parlamentare”, thuhet në deklaratë.
Në këtë deklaratë nuk përmendet askund pohimi i mëhershëm i AAK-së se nuk hyjnë në koalicion me kryeministër Hashim Thaçi.
Ndërkohë, KQZ-ja i çertifikoi të hënën zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 12 dhjetorit, ndërsa ushtruesi i detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi konfirmoi se të martën do të fillojë konsultimet me partitë parlamentare për konstituimin e Kuvendit të ri dhe më pas do t`i jep mandatin Hashim Thaçit për të formuar qeverinë e re.