Kosovë :Afat shtesë për regjistrim në veri

Brenda dhjetë ditëve të para, që prej nisjes së regjistrimit të popullsisë dhe ekonomive familjare në Kosovë e deri më tani janë regjistruar përafërsisht 1.5 milion banorë të vendit. Keshtu bënë të ditur përfaqësues të Entit të Statistikave të Kosovës.
Ata thanë se edhe në ditën e 12-të, veriu i Kosovës ka mbetur jashtë procesit të regjistrimit. Mirëpo, sipas autoriteteve kosovare, aktualisht janë duke vazhduar konsultimet me mekanizmat e tjerë përgjegjës për regjistrimin e popullsisë, për ta nisur këtë proces edhe në veri të vendit.
Ministri i Administratës Publike, Mahir Jagxhillar, tha se në takimin e fundit të komitetit drejtues është bërë e ditur se janë duke vazhduar përpjekjet me Komisionin Evropian, me UNOPS-in dhe me donatorët e tjerë të projektit, për t`i ftuar të gjithë qytetarët e Kosovës që të marrin pjesë në regjistrim.
Pavarësisht bojkotimit të procesit nga serbët që jetojnë në zonat përtej lumit Ibër në Mitrovicë, Jagxhillar shprehu bindjen se procesi nuk do të dështojë në atë pjesë të vendit, ndërsa theksoi se regjistrimi kryhet në baza vullnetare.
Ai njoftoi se për shkak të vështirësive lidhur me regjistrimin e popullsisë dhe ekonomive familjare në veri, për përfundimin e këtij procesi në atë pjesë të Kosovës është parashikuar një afat shtesë kohor.
Pjesëmarrja e qytetarëve serbë të veriut të vendit duket se nuk mund të pritet, ndersa procesi i regjistrimit të mbetet përgjegjësi i mekanizmave shtetërorë të Kosovës.
Nënkryetari paralel i komunës së Leposaviqit, Radosh Mihajlloviq, mohoi që zyrtarët e kësaj komune të jenë kontaktuar nga qeveria e Kosovës apo UNOPS-i. Sidoqoftë, ai vlerësoi se regjistrimi mund të ishte i pranueshëm për serbët neqoftëse ai do të udhëhiqej nga misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë.
Regjistrimi i popullsisë nisi në fillim të këtij muaji, ndërsa është parashikuar të përfundojë brenda 15 ditësh. Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë është mbajtur para 30 vjetësh.