AAK: Gjendja e përgjithshme është e tensionuar

Kryetarët e Degëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, pas mbledhjes së mbajtur sot, vlerësojnë se gjendja e përgjithshme në Kosovë është e tensionuar dhe karakterizohet nga pakënaqësitë e mëdha të qytetarëve të Republikës. Keshtu thuhet në një deklaratë të kryetarëve të degëve të kësaj partie.
Ata kërkojnë nga EULEX-i që të punojë sipas parimeve më të larta të drejtësisë dhe të mos ndërpresë punën e institucioneve, në këtë rast të kryetarit të zgjedhur në formë demokratike nga qytetarët e Komunës së Therandës. Kryetarët e Degëve të AAK-së, po ashtu mbështesin fuqishëm “qëndrimin parimor dhe burrëror të Blerim Kuçi, duke qenë të bindur se puna e tij në Komunën e Therandës dhe në aktivitetet e tjera është e nivelit më të lartë”, ndërsa janë të habitur me mungesën e reagimit institucional të nivelit qendror për rastin e Kuçit.