E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosove-BE Mirel Kryeni reformat per ne Europe

Gjatë një viti në Kosovë ka pasur pak progress, vlerëson Komisioni Europian në  Raportin e Progresit që  do të publikohet në vjeshtë. Kështu ka deklaruar në Prishtinë Pierre Mirel, drejtor për Ballkanin Perëndimor në Departamentin për Zgjerim të Komisionit Europian,  gjatë takimit të dytë plenar të Dialogut të Procesit të Stabilizim-Asociimit.

Mirel tha se qeveria e Kosovës nuk ka arritur të kryejë reformat e kërkuara nga viti i kaluar. Megjithatë inkurajoi qeverinë dhe parlamentin e Kosovës të dyfishojnë përpjekjet që deri në shtator të bëjnë ndryshimet e kërkuara, ndërsa ritheksoi perspektivën evropiane të Kosovës.

“Kosova ka të ardhme europiane dhe reformat e kërkuara janë pjesë e agjendës europiane. Reformat janë jashtëzakonisht shumë të rëndësishme për Kosovën dhe qytetarët e saj, në mënyrë që Kosova  të ndërtojë një shoqëri demokratike dhe prosperuese”-tha Mirel.

Mirel e ka vlerësuar pozitiv dialogun që po zhvillohet në mes të Prishtinës dhe Beogradit,  si një rast unik për Kosovën për t’i adresuar disa prej problemeve dhe çështjeve më konkrete për të mirën e qytetarëve dhe për të demonstruar pjekurinë e Kosovës për çështje të rëndësishme. Nga ana e tij, kryeministri Hashim Thaçi ka theksuar përkushtimin e qeverisë kosovare për të kryer të gjitha reformat e kërkuara nga Komisioni Europian.

“Zbatimi i agjendës europiane ka vazhduar gjatë këtij viti me anë të zbatimit të veprimit për partneritetin europian dhe të zhvillimit të dialogut të procesit të stabilizim asocimit. Progres është shënuar në finalizimin e marrëveshjes kornizë për pjesëmarrjen e Kosovës në programet e komunitetit në bashkëpunim me Komisionin Evropian. Do të shqyrtojmë të gjitha mundësitë e miratimit dhe të nënshkrimit sa më të shpejt të marrëveshjes kornizë”-tha Thaçi.

Komisioni Europian nuk është shprehur i kënaqur as me sundimin e ligjit në Kosovë. Sipas Pierre Mirel megjithëse ka pasur progres në kornizën ligjore, zbatimi i ligjeve vazhdon të mbetet ende sfidë serioze, pasi rreth 45 për qind e tyre vijojnë të jenë ende të pazbatuara.

Sala Mustafa

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›