Kosovë, Bajden përshëndet marrëveshjet

Pas takimit të shkurtër që zhvilluan në Romë më 2 qershor, nënpresidenti amerikan Xho Bajden dhe Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga zhvilluan gjatë mbrëmjes një bisedë telefonike.
Sipas një deklarate të zyrës së nënpresidentit, Bajden theksoi mbështetjen e vazhdueshme dhe të pakthyeshme të Shteteve të Bashkuara për pavarësinë e Kosovës, integritetin territorial dhe sovranitetin e saj si një demokraci shumetnike.
Nënpresidenti Bajden përshëndeti arritjen e marrëveshjeve të 2 korrikut në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe theksoi nevojën për përparim të mëtejshëm në çështje që sjellin përfitime praktike për qytetarët e të dyja vendeve.
Ndër të tjera sipas mediave kosovare, nënpresidenti amerikan dhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga diskutuan gjithashtu mbi përpjekjet e Kosovës për të luftuar korrupsionin, për të forcuar shtetin ligjor dhe për të vazhduar reformat e brendshme në Kosovë, duke nënvizuar se këto janë hapa themelore për tërheqjen e investimeve dhe nxitjen e rritjes ekonomike.