E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë, EULEX hetime në vendin ku u vra polici

Policia e EULEX-it e mbështetur nga forcat e KFOR-it, sot ka ndërmarrë një aksion në aksin rrugor ndërmjet Zubin Potokut dhe fshatit Zupqë, për të bërë hetime lidhur me vrasjen e pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Enver Zymberi, që kishte ndodhur me 26 korrik të këtij viti. Kjo është konfirmuar nga zyrtarët e misionit evropian për sundimin e ligjit, EULEX. Zëdhënësja e këtij misioni Irina Gudeljeviç, ka thënë se hetimet janë bërë në vendin ku ka ndodhur krimi.

“Ky hetim i vendit të krimit është lidhur me vrasjen e pjesëtarit të Policisë së Kosovës, më 26 korrik të këtij viti dhe gjatë kohës së hetimit, rruga ndërmjet Zubin Potokut dhe Zupqës ka qenë e mbyllur përkohësisht. Hetimin lidhur me vrasjen e pjesëtarit të Policisë së Kosovës, po e bëjnë së bashku EULEX-i dhe Policia e Kosovës. Unë nuk mund të zbuloj detaje lidhur me hetimin, sepse kjo do të mund ta rrezikonte hetimin”, tha zëdhënësja e EULEX-it, Irina Gudeljeviç.
 

Hetimet lidhur me vrasjen e pjesëtarit të Policisë së Kosovës, i kishte paralajmëruar më parë EULEX-i dhe zyrtarët e Policisë së Kosovës, të cilët kishin theksuar se tashmë kanë identifikuar personat e dyshimtë lidhur me këtë krim.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›