E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dritëroi: Qosja institucion i shqiptarizmës, duhet ftuar patjetër

TIRANE-Muzgu e ka ngërthyer Tiranën po aq shumë sa lajmi se Rexhep Qosja nuk është ftuar në konferencën shkencore për 100-vjetorin e Pavarësisë. Kjo nuk ka tingëlluar mirë ndër intelektualë, por, është dikush që duhet pyetur medoemos. Mendimi i tij ka gjithnjë peshë e vlerë, qoftë se nuk flet shpesh, qoftë se, kur flet, di se çfarë thotë dhe nuk lë më vend për diskutime. Ai ka pasur gjithherësh forcën dhe kthjelltësinë (çka nuk i mungon as sot në moshë të thyer), të japë mendime të pjekura, mbi palët, që i japin kahun e duhur punës, e që të vërtetës i ndezin një prozhektor të madh mbi “krye”, që ta shohin edhe më të verbërit.

Në shtëpinë e Dritëroit telefonojmë rreth orës 19:45. Mbas pak çastesh receptorin e ngre zonja e tij, Sadija. Tregohet e sjellshme dhe dëgjon me vëmendje kërkesën tonë. Po me mirësjellje na thotë që të telefonojmë 15 minuta më vonë. Kur telefonojmë pas çerek ore, këtë herë na përgjigjet vetë Dritëroi. Nuk duket fort mirë nga zëri, por ka mirësinë të na dëgjojë. “Akoma nuk mund ta besoj se nuk e kanë ftuar. Siç dihet, Rexhep Qosja është një institucion më vete i shqiptarizmës”, - dëgjojmë të na thotë. Kuptojmë prej tij se kjo çështje e ka “nervozuar” disi. Kemi një mëdyshje që do refuzojë, por Dritëroi na i ‘plaçkit’ dyshimet, kur pranon menjëherë të na japë një mendim. E pyesim nëse mund të na presë në shtëpi e mbasi pohon, nisemi drejt tij. Rrugës mendojmë se çfarë e bindi Dritëroin të flasë? Zonja Sadije na tha në telefon, se shkrimtari këto kohë nuk ka qenë fort mirë me shëndetin, çka në një farë mënyre e reflektoi edhe zëri i tij. Aty për aty bëhet çdo gjë e qartë: Dritëroi është Dritëroi (dhe është një i vetëm), ashtu sikurse Rexhep Qosja është Rexhep Qosja. Ndonëse urtësia iu shkon shumë emrave të mëdhenj, ka disa raste, kur heshtja e të urtëve nuk tingëllon mirë. Mendimi i tyre, ka vlerë pikërisht në ato raste të veçanta, kur padrejtësia del mbi ta. Duket se këtë pati në mendje edhe shkrimtari kur pranoi ftesën tonë për një bisedë, duke mos harruar faktin se ata kanë një miqësi të hershme. Kur ne trokasim në shtëpinë e tij, derën na e hap zonja Sadije, ndërsa Dritëroi vetë, është ulur në kolltukun e vet. Dobësia e këtyre ditëve e ka hequr jo pak në fytyrë, por Dritëroi nuk mund të heshtte për Qosen, sepse ka një stimë të madhe për punën voluminoze që ai ka bërë për shqiptarizmën. Këtë na e thotë që në fillim. Më vonë rrëfen se e ka mik dhe se mosftesa e tij ngjan absurde. E sheh më shumë si harresë këtë gabim, se sa si një të vërtetë lakuriqe nën rrezet e diellit. Përmend me radhë veprat e vlerat e Qoses, e thotë se, një shoqëri demokratike pa kritikë nuk ecën përpara. Ka të drejtë burri i urtë me flokë të bardhë! Me fjalë të zgjedhura iu përgjigjet pyetjeve tona një e nga një, ndërsa shton se deri në nëntor Rexhep Qoses duhet t’i shkojë medoemos një ftesë. Ajo konferencë pa atë, duket se nuk ka kuptimin e duhur...

“Gazeta Shqiptare” ka botuar para disa ditësh lajmin që Rexhep Qosja nuk është ftuar nga Akademia e Shkencave për konferencën e 100-vjetorit. Ka njerëz që hezitojnë të flasin për këtë çështje. Ju, si e keni pritur këtë?
Mua akoma nuk më besohet që Rexhep Qosja të mos jetë ftuar nga Akademia e Shkencave në konferencën shkencore në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Kam lexuar në gazeta se ai nuk është ftuar dhe mendoj që këto mund të jenë edhe hamendje qoftë të shtypit, qoftë të mediave vizive. Sepse, siç dihet Rexhep Qosja është një institucion më vete i shqiptarizmës. Ai është nga figurat më të mëdhaja të kulturës sonë, qoftë në fushën e letërsisë, historisë së letërsisë, qoftë në fushën e historiografisë. Nuk ka kyçe të rëndësishme të historisë sonë, apo historisë së kulturës e letërsisë sonë, ku Rexhep Qosja të mos ketë marrë pjesë me shkrimet e tij, por edhe me bisedat, fjalët apo mjete të tjera. Shumë nga veprat që ka shkruar, janë botuar edhe jashtë Shqipërisë. Ende më duket një gjë gjysmë absurde ose një harresë, mosftesa.
Burime të Gazetës kanë thënë se arsyeja e mosftesës ka qenë fakti se ai është treguar shumë kritik. A është kjo ngjarje domethë-nëse për “mbytjen” e zërave kritikë?
Nuk më duket një arsye e fortë kjo, që të mos ftohet në konferencë një ndër zërat më të rëndësishëm të kulturës sonë, siç është Rexhep Qosja. Në shoqërinë demokratike ku jetojmë ne ka të drejtën e fjalës çdo njeri, me kushtin që të mos shpifë dhe të mos thotë gjëra të paqena apo absurde. Këtë gjë Rexhep Qosja nuk e ka bërë. Ai ka kritikuar siç kritikojmë ne të gjithë në shtetin tonë, në Shqipërinë zyrtare me ato kufij që kemi. Ka kritikuar ndonjë fenomen tonin, por qëndrimi i tij historik në përgjithësi, qëndrimi i tij në historiografinë tonë, është shumë i drejtë dhe në përgjithësi ai e ka pasuruar, sepse ka shkruar historinë e letërsisë sonë klasike, letërsinë e kohëve të sotme, ashtu si edhe për atë të shekujve më të hershëm. Ka qenë përgjegjës vetë në botimin e shumë përmbledhjeve të veprave me rëndësi. Prandaj, nuk besoj të jetë kjo arsyeja që nuk e kanë ftuar, sepse të gjithë ata që do të mblidhen, diçka kanë kritikuar. Nëse nuk kritikon nuk ecën përpara, pa kritikë nuk zhvillohet dot shoqëria, kështu që nuk e besoj të jetë kjo arsyeja.
A mund të na i rikujtoni vlerat e akademikut Rexhep Qosja?
Edhe në kohërat kur ishte e vështirë që të flisje për historinë e popullit tonë, në Kosovë e për Kosovën, Rexhep Qosja e ka ngritur zërin. Ai ka polemizuar me akademikë të Ballkanit, veçanërisht të Serbisë, për këtë çështje. Ata e kanë kritikuar Rexhepin në ato kohë të vështira, ndaj nuk mundet që një akademik i këtyre përmasave e i kësaj hapësire të madhe të mos ftohet. Ndofta ka kohë deri në nëntor kur bëhet konferenca, që ai të marrë ftesën. Janë disa vepra që nuk mund t’i harrosh, siç është për shembull libri i tij voluminoz dhe shumë i rëndësishëm, “Porosia e madhe” që flet për rilindasit e veçanërisht për Naim Frashërin. Ky libër, edhe vetë në titull, “Porosia e madhe”, tregon se kërkohet një Shqipëri të lirë, një shtet më vete. Simbolika është e kuptueshme. Vepra të tjera me rëndësi janë “Populli i ndaluar”, “Anatomia e kulturës”, “Romantizmi” në tri vëllime, etj. Autori i gjithë këtyre veprave që kanë një mesazh të qartë, nuk është e mundur të mos ftohet që të mbajë një ligjëratë.
Tashmë jemi në 100-vjetorin e Pavarësisë. Një shekull më parë kur ajo u shpall, përfshinte të gjitha territoret shqiptare, domosdo edhe Kosovën. Fakti që nuk ftohet Rexhep Qosja, mbështetës i kauzës së bashkimit të Shqipërisë me Kosovën, a nuk na jep një mesazh fort të pakëndshëm? Çfarë ju thotë ky gjest juve?
Kjo gjë duhet t’i vërë në mendime njerëzit, ashtu siç ka vënë në mendime shumë prej emrave të historiografisë dhe të politikës sonë. Nuk mundet të lësh jashtë konferencës autorin e atyre veprave që unë përmenda. Ky njeri nuk mund të qëndrojë jashtë ngjarjeve të mëdha historike, të djeshme, të pardjeshme, të sotme, apo të së ardhmes sonë. Aq më tepër që ai është akademik i Akademisë së Shkencave në Kosovë, por edhe i Akademisë sonë dhe njeri aktiv që vazhdimisht shkruan dhe nuk është indiferent ndaj gjithë problemeve që ka sot Shqipëria dhe vetë Shqipëria përtej Drinit.
Pra, për ju Kosova është Shqipëria përtej Drinit?
Unë nuk them Shqipëria dhe Kosova, sepse është njëlloj si të thuash Shqipëria dhe Labëria. Mua më pëlqen më mirë të them Shqipëria këtej Drinit dhe Shqipëria andej Drinit. Doemos, duke përmendur edhe Kosovën, se ajo është Shqipëri. Nuk ka Kosovë e Shqipëri, e nuk ka kosovarë e shqiptarë, ka Shqipëri e shqiptarë.
Kjo do të thotë se edhe ju, si Rexhep Qosja, mbështesni idenë e bashkimit të Shqipërisë me Kosovën?
Kur unë them ‘Shqipëria këtej dhe përtej Drinit’, presupozoj se Drini i kalon Shqipërisë mes për mes. Lasgush Poradeci ka një varg ku thotë:
“Duke nisur udhëtimin mespërmes në Shqipëri,
Drini plak e i përrallshëm po buron prej Shën Naumi...”
Një herë, një kritik e kritikoi Lasgushin për këtë varg. I kishte thënë se Drini kalon në kufi të Shqipërisë, e jo mespërmes. Poeti i qe drejtuar me këto fjalë: “Ti ore mik, nuk e di as gjeografinë, as historinë. Po pse, pjesa andej, a nuk është Shqipëri?” Kështu iu përgjigj poeti kritikut. Dhe këtu poeti kishte të drejtë, se Shqipëria është siç ka qenë në historinë e saj. Programi i rilindasve është realizuar deri në fazën e parafundit. Faza e fundit është bashkimi i Shqipërisë. Kështu duhet të bëhet. Sigurisht, Shqipëria e këtejshme dhe ajo e andejshme do të bashkohen në BE. Ëndrra e shqiptarëve është bashkimi. Sigurisht, kjo është punë e diplomacisë, por meqenëse jemi në demokraci, unë po jap mendimin tim.
Pra, ju mendoni se duhet t’i shkojë ftesa?
Unë besoj se do t’i shkojë. Ai nuk mund të mbetet jashtë këtij manifestimi të madh e të rëndësishëm, edhe të gëzueshëm, që disa njerëz të moshuar arritën ta shohin edhe 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Unë jam 81 vjeç dhe jam shumë i gëzuar që do ta shoh, se besoj se deri në datën 28 nëntor, nuk do më bjerë damllaja. Jam i lumtur që hyj në këtë 100-vjeçar të Pavarësisë, e po kështu edhe Rexhep Qosja, se ai 76 vjeç është, e janë njerëz të tjerë që kanë moshën time apo të Rexhepit. Jo vetëm që shohim vitin e 100-të të pavarësisë sonë, por edhe shtetin e Kosovës, të pavarur e të liruar nga një zgjedhë tjetër, siç qe ajo serbe. Ditën e Pavarësisë do lindin me siguri shumë fëmijë, që do të arrijnë 200-vjetorin e Pavarësisë, sepse jeta gjithnjë e më shumë do të zgjatet.
Cila është marrëdhënia juaj me profesor Rexhep Qosen?
Unë e kam mik Rexhep Qosen dhe e respektoj shumë, për krijimtarinë e tij, për guximin dhe për të vërtetat që thotë. Si çdo njeri që shkruan e që diskuton, doemos që mund të ketë gjëra të paplotësuara. Kjo nuk është për Rexhepin, kjo është për të gjithë. Secili nga ne, përfshirë mua të parin, mund të bëjë gabime, e nga gabimet mësohet. Pitagora, përpara se të bënte teoremën e famshme, ka bërë me mijëra gabime. Pa gabime nuk ka përparim, por ato na shtyjnë që të gjejmë të vërtetën.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›