E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, Haradinaj: Zgjedhjet kanë qenë të rregullta

PRISHTINE- Gjatë një konference për media lideri i AAK-së përveç paraqitjes së rezultateve të subjektit të tij dhe përgëzimeve për qytetarët, partitë politike, mekanizmat zgjedhor dhe policinë edhe ka kritikuar disa nga rivalët politik për ndërhyrje në proces.

Në këtë rast, Haradinaj ka thënë se AAK e ka fituar besimin më të madh qytetar në krahasim me partitë tjera në shtatë komuna të Kosovës dhe se tani është partia e dytë në disa komuna, ku katër prej të cilave shkon edhe me balotazh.

“Në bazë të rezultateve që i kemi Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka rritë vota në gjithë Kosovën në të gjitha komunat e Kosovës ka shtim të numrit të votave, njëkohësisht e ka rrit besimin edhe në udhëheqje ose për të udhëhequr me komunat. Rezultati është si vijon, prijnë ose jemi partia e parë në Suharekë, në Gjakovë, në Deçan, në Junik, në Pejë edhe për simbolikë në dy komunat e veriut, Leposaviqi dhe Zveçani, ku atje kemi qenë të vetëm në pjesëmarrje, pra është një pjesëmarrje shumë simbolike. Pastaj jemi partia e dytë dhe shkojmë në balotazh në katër komuna të Kosovës, këto janë Vushtrria, Kaçaniku, Klina dhe Istogu”, ka thënë ai.

Edhe pse vlerëson se shkeljet e evidentuara dhe ndërhyrjet në procesin zgjedhor nuk kanë ndikuar në situatën për të kontestuar rezultatet, lideri i AAK-së e ka kritikuar prapë PDK-në për këto ndërhyrje dhe i ka bërë thirrje këtij subjekti për të ndaluar veprimet e tilla.

“Në radhë të parë ajo që është me rëndësi, ka pasur ndërhyrje në procesin zgjedhor, ndërhyrje të cilat ne mendojmë se kanë lejuar me e çmu këtë proces të rregullt, mirëpo ka pasur ndërhyrje, tentativa për ndërhyrje në proces zgjedhor, megjithatë besojmë se procesi zgjedhor ka qenë i rregullt”, ka thënë ai, duke treguar se ndërhyrjet më të mëdha kanë ndodhur në komunën e Kaçanikut, Vushtrrisë dhe Mitrovicës.

Ndërkaq, lidhur me rezultatet në Prishtinë, Haradinaj ka thënë se AAK ka marrë një numër të caktuar të votave, e cila është në rritje nga zgjedhjet e kaluara, ndërsa që i ka uruar fitoren kandidatit të LDK-së, Isa Mustafa.

Kreu i AAK-së ka thënë se edhe në raundin e dytë të zgjedhjeve, ky subjekt politik do të vazhdojë me frymën e njëjtë demokratike të veprimit, ndërsa i ka ftuar qytetarët që të mbështesin AAK-në.
(m.a/express/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›