E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë, Haxhinasto në konferencën për sfidat e Ballkanit

TIRANË- Zv/kryeministri dhe njëkohësisht Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, sot do të marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare “Evropa Juglindore në epokën multipolare”, në Kosovë.

Konferenca e cila do të mbahet në Prishtinë, organizohet nga Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Këshillin Evropian për Punët e Jashtme, me përkrahjen e Këshillit Britanik dhe Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë.

Në këtë konferencë ministri Haxhinasto do të mbajë një fjalim lidhur me sfidat e Ballkanit Perëndimor drejt integrimit në BE dhe realitetin e ri që ka sjellë pavarësia e Kosovës në stabilitetin rajonal, njoston zyra e shtypit e ministrisë së Jashtme.

Të pranishëm në këtë konferencë janë ministrat e Jashtëm të Turqisë, Bullgarisë, Malit të zi, Maqedonisë, Kosovës etj, ish-ministra të jashtëm, studiues për çështjet e Ballkanit në institute, universitete dhe OJQ nga Britania, Gjermania, Rusia (Akademia e Shkencave) Hungaria, Serbia, Turqia, Shqipëria, Serbia, përfaqësues të BERD, gazetarë etj.
(el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›