E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, Haxhinasto takon presidentin Pacolli

Në ditën e dytë të vizitës së tij në Kosovë, ministri i jashtëm shqipta Edmond Haxhinasto është takuar me presidentin kosovar Behgjet Pacolli.

Në takim shefi i diplomacisë shqiptare, Edmond Haxhinasto theksoi se pavarësisht kontestimit që dikush i ka bënrë zgjedhjes së Pacollit si president, ai e respekton vullnetin e deputetëve të cilët votuan për presidentin e ri të Kosovës.

Nga ana e tij Presidenti kosovar Pacolli falënderoi ministrin Haxhinasto dhe pararendësit e tij për punën shumë të madhe që kanë bërë për sigurimin e një numri sa më të madh të njohjeve për shtetin e ri të Kosovës. Ai shfaqi shpresën se diplomacia e Shqipërisë do të vazhdojë të punojë në këtë fushë dhe do të shtojë edhe më shumë angazhimet, si dhe theksoi nevojën e krijimit të një agjende të përbashkët angazhimesh, në mënyrë që Kosova të shtojë sa më shumë numrin e njohjeve, por edhe të arrijë sa më shpejtë të bëhet pjesë e mekanizmave ndërkombëtarë, një synim ky i përhershëm i popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.

Pas takimit me Pacollin, shefi i diplomacisë shqiptare bëri nderime tek varri i presidentit Ibrahim Rugova. Ai tha se është obligim i secilit të nderoi figurën e Rugovës mbi idenë e të cilit, siç u shpreh ai, po ndërtohet shteti i Kosovës.

Të shtunën pasdite Haxhinasto do të vizitojë memorialin dhe familjen Jashari në Prekaz.

Ndërkohë Haxhinasto po qëndron në Kosovë me ftesë të ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›