Neugebauer: Garantoni zgjedhjet e 8 majit!
“Austria është jo vetëm një partnere kryesore, por dhe një mike e vërtetë, që ka mbështetur pa lëkundje çdo hap të zhvillimit të Shqipërisë në këto 20 vite të demokracisë”
Kryetarja e Kuvendit, priti dje në një takim zv/presidentin e Parë të Parlamentit të Austrisë, Fritz Neugebauer. “Austria është jo vetëm një partnere kryesore, por dhe një mike e vërtetë, që ka mbështetur pa lëkundje çdo hap të zhvillimit të Shqipërisë në këto 20 vite të demokracisë”, vlerësoi Kryetarja e Kuvendit. Zoti Neugebauer, pasi shprehu falënderimet për mikpritjen, i përcolli Kryetares së Kuvendit përshëndetjet e përzemërta të Kryetares së Parlamentit austriak, Barbara Prammer, si dhe në emër të saj i përcolli ftesën për të zhvilluar një vizitë në Parlamentin e Vjenës. Liberalizimi i vizave, ishte një ndër temat që dy bashkëbiseduesit i ndalën gjatë takimit. Me këtë rast, Kryetarja e Kuvendit shprehu mirënjohjen për mbështetjen e veçantë që
Austria ka dhënë ndaj këtij procesi, në mënyrë që kombi shqiptar të prekte ëndrrën e dimensionit pakufi të lirisë. Lidhur me zgjedhjet e 8 majit, Kryetarja e Kuvendit theksoi angazhimin e Qeverisë shqiptare, për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe transparente, si dhe theksoi rëndësinë për të pasur sa më shumë vëzhgues nga misioni i OSBE/ODHIR, si dhe misione të tjera ndërkombëtare. “Vlerësoj këtë angazhim dhe shpreh bindjen se zgjedhjet vendore që do të mbahen më 8 maj do të jenë zgjedhje të mira dhe më standarde, ashtu si zgjedhjet e vitit 2009, të cilat u certifikuan nga OSBE/ODHIR” u shpreh zv/Presidenti i Parë i Parlamentit të Austrisë. Gjatë takimit, dy personalitetet shprehën angazhimin e përbashkët për të rritur edhe më tej shkëmbimin e eksperiencave midis dy parlamenteve.