E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI: Rama po sulmon KQZ-në për të fshehur humbjen

Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizje Socialiste për Integrim, Luan Rama tha sot se sulmet e Partisë socialiste ndaj KQZ-së kërkojnë të përgatisin justifikimin e humbjes së saj. Në një konferencë për shtyp Luan Rama theksoi se fokusimi i fushatës të Partisë Socialiste në çështjet politike tregon se ajo po përpiqet të fsheh dështimin e kreut të saj.
“Që kryetari i PS-së, edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, të dalë në Tiranë, pranë Sheshit “Skënderbej” dhe të thotë fajin e ka Berisha për gropën e shëmtuar që ka hapur në qendër të Tiranës, për betonizimin skandaloz që i ka bërë Tiranës, për trafikun skandaloz në të cilin gjenden qytetarët e Tiranës, për vrasjen, djegien dhe shkatërrimin e çdo hapësire të gjelbër në qytetin e Tiranës as më pak e as më shumë e gjitha kjo ngjan me një kloun tepër qesharake që natyrisht do të marrë përgjigjen dhe vlerësimin e duhur më 8 maj”, theksoi Rama.

Ai ka akuzuar dhe personazhet e tjerë të opozitës, të cilët sipas Ramës flasin me të njëjtën gjuhë si familjarët e liderit të Libisë.

“Si për të thënë që nuk është vetëm kryetari i PS-së, por është i gjithë enturazhi i tij që mban të njëjtin qëndrim, dëgjojmë edhe zëdhënësin më të spikatur politik të kryetarit të PS-së, që sulmon aktorët, partnerët ndërkombëtarë, përfaqësuesit e nderuar të trupit diplomatik që gjendet në Shqipëri, duke na kujtuar që as më pak e as më shumë edhe ai i shkreti flet njësoj si të ishte djali i Gadafit”, shtoi më tej Luan Rama.

Rama u shpreh se për herë të parë në historinë e saj, PS po paraqitet në zgjedhje pa një program.

“Është hera e parë në këto 20 vjet që PS-ja shfaqet përpara qytetarëve pa një projekt, pa alternativë, pa program konkret dhe real zhvillimi dhe prezantohet për fat të keq me një slogan jo vetëm të pavend dhe pa asnjë vlerë, por e shndërron të gjithë atë që po bën PS-ja në një parodi qesharake”, theksoi ai.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›