PS: Berisha dëmtoi shqiptarët me kontrabandën e naftës

Partia Socialiste akuzoi sërish kryeministrin Sali Berisha se me kontrabandën e naftës ka dëmtuar jetën e qytetarëve shqiptarë. Në një konferencë për shtyp deputeti i PS, Besnik Bare deklaroi se helmet e hedhura në ajër nga nafta “virgin” kanë shkaktuar sëmundje kancerogjene te qytetarët.
“Pasojat më të rënda dhe më kriminale të kësaj kontrabande nuk janë kostot e saj financiare, por kosto që ajo ka për shëndetin e shqiptarëve. Si pasojë e mosdjegies së plotë të 50 mijë tonëve naftë virgin në vit, çlirohen në ajrin e qyteteve tona shumë komponime aromatike organike, një pjesë e të cilave përmbajnë edhe squfur”, theksoi Bare.
Ai ka theksuar se djegia e këtij lloj karburanti çliron sasi të konsiderueshme të oksidit të squfurit, me pasoja mjaft të rënda për organizmin dhe jetën e gjallë në tokë.
“Kanceri dhe sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes janë vetëm disa nga sëmundjet e rrezikshme e vdekjeprurëse që shkakton kjo ndotje. Është faji i Saliu që shqiptarët paguajnë me shëndetin e tyre për milionat që fut në xhep oborri i kusarisë”, shtoi më tej Bare.