E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, Hoxhaj: Serbia përkrah strukturat kriminale në Veri

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj ka akuzuar drejtpërdrejt presidentin e Serbisë, Boris Tadiç për nxitje të dhunës në veri. Nëpërmjet një interviste për një të përditshme zviceriane, ai ka thënë se Serbia është duke përkrahur strukturat kriminale në veri, të cilat po i pajisë me agjendë politike.
 

“Presidenti i Serbisë Tadiç, ministrat e Qeverisë serbe kanë nxitur dhunë në veri. Zhvillimet e fundit dramatike në ditët e shkuara janë organizuar dhe financuar nga Qeveria në Serbi. I dërguari i Serbisë në dialog vjen ilegalisht në Kosovë dhe mban fjalime që të kujtojnë luftërat e viteve 90-ta. Serbia ende nuk ka arritur të përpunojë të kaluarën”, ka thënë Hoxhaj.
Ministri i jashtëm kosovar, ka thënë se në veri janë instaluar struktura kriminale, që edhe më tutje mbështeten fuqishëm nga Beogradi.
 

“Atje mbi të gjitha ka krim dhe kriminelë të organizuar, të cilët kontrollojnë kontrabandën dhe mjete të tjera të krimit. Ata janë shumë të interesuar të jetojnë në një hapësirë të lirë, ku nuk funksionon ligji, derisa Beogradi po përkujdeset që t`i marrë në mbrojtje”, ka shtuar Hoxhaj.
 

Ndër të tjera ai ka shtuar se Republika dhe populli i Kosovës dëshirojnë siguri, stabilitet dhe paqe.
“Ne do të respektojmë Kushtetutën dhe marrëveshjen mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe KFOR-it. Ne do t`i respektojmë të drejtat e serbëve, por në asnjë mënyrë nuk do të lejojmë që Serbia të përzihet në punët tona”, ka paralajmëruar ministri i jashtëm kosovar.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›