E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë/ Hyseni: Kontakte të vazhdueshme me vendet arabe

Kosova ka kontakte të vazhdueshme me shtetet arabe, deklaroi ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Skender Hyseni, i cili priti sot një delegacion nga vendet arabe, të përbërë nga: dr. Gamal A. Zaghran, deputet në Parlamentin e Egjiptit, dr. Alaa Makki, anëtar i Këshillit të Përfaqësuesve të Irakut, Oralb Al-Rantaëi, drejtor i Qendrës për Studime Politike Al-Quds.
Sipas zyrës së shtypit të Ministrisë së Jashtme të Kosovës, Hyseni i ka njohur bashkëbiseduesit me arritjet e shtetit të ri që prej shpalljes së pavarësisë, si dhe me ecurinë e procesit të njohjes së Republikës së Kosovës. Ministri i Jashtëm nënvizoi në mënyrë të veçantë kontaktet e vazhdueshme të institucionit që ai drejton me qeveritë dhe përfaqësuesit e vendeve arabe, me Ligën Arabe, si dhe me vendet anëtare të Konferencës së Organizatës Islamike, me qëllim të informimit të këtyre vendeve me të gjitha çështjet për dhe rreth Kosovës. Nga ana e tyre, pjesëtarët e delegacionit arab kanë falënderuar ministrin Hyseni për infomimin e tyre me të gjitha proceset në Kosovë, në veçanti për punën e Ministrisë së Jashtme në rrafshin e kontakteve dhe të komunikimit me vendet arabe. Ata përgëzuan ministrin për punën e bërë dhe inkurajuan atë që të vazhdojë kontaktet institucionale me botën arabe.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›