E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë-KFOR, arrihet marrëveshja për Veriun

Kosova dhe KFOR-i kanë arritur marrëveshjen për situatën e krijuar në veri, ditët e fundit. Ka qenë kryeministri kosovar, Hashim Thaçi ai që ka konfirmuar pranimin e marrëveshjes nga të gjithë. Ai ka thënë në mbledhjen e sotme të qeverisë, se do të ruhet situata e re e krijuar në portat 1 dhe 31.
Kryeministri ndër të tjera ka deklaruar se do të vazhdojë kontrolli i kufirit dhe do të mbetet në fuqi masa e reciprocitetit.
Në fjalën e tij, Thaçi u shpreh se Kosova ka mbështetjen e plotë të faktorit ndërkombëtare për ruajtjen e sovranitetit të Republikës.
Sipas burimeve të RTK-së, KFOR-i, ka pranuar 10 kushtet e parashtruara nga ana e Qeverisë së vendit.
Marrëveshja përmban këto pika:
1. Parakushti: Hapja e bllokadave të rrugëve
2. Në parim mirëmbajtja e gjendjes së tashme në porta
3. KFOR-i është përgjegjës për portat
4. Në parim portat janë të mbyllura për arsye të sigurisë dhe janë zona të kufizuara ushtarake
5. Ndihma humanitare do të lejohet që të hyjë në Kosovë në makina deri në 3.5 tonë, në pika të caktuara kufitare pas një vlerësimi nga një organ i caktuar i pavarur ndërkombëtar që ekziston nevoja për ndihma humanitare
6. Mallrat për kishën ortodokse serbe lejohet të kalojnë
7. Çdo person dhe makinë do të kontrollohet për armatim
8. Çdo person do të kontrollohet për ID
9. Treni Beograd-Mitrovicë: kontrollohet nga EULEX dhe Policia e Kosovës, si dhe ndihmohet nga KFOR-i
10. KFOR-i do të kryej operacionet e kontrollit në vendkalimet e paautorizuara kufitare për të ruajtur një mjedis të qetë dhe të sigurt.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›