E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, KQZ e përgatitur për zgjedhjet në Ferizaj

Për të evituar përsëritjen e manipulimeve që janë bërë në zgjedhjet e kaluara në vend, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka paralajmëruar disa veprime nëpërmjet të cilave synon t`i mënjanojë parregullsitë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Ferizajt, të cilat do të mbahen më 29 prill.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka në një bisedë për gazetën “Epoka e Re”, ka paralajmëruar se KQZ-ja s`do të lejojë parregullsi gjatë këtij procesi zgjedhor.

Ajo ka bërë me dije se në kuadër të parandalimit të manipulimeve do të ketë kujdes të veçantë për llambat verifikuese si dhe mosemërimin e komisionerëve, të cilët kanë qenë pjesë e manipulimeve në zgjedhjet e kaluara.

“Ne tashmë i kemi emrat e atyre komisionerëve prej gjykatës komunale në Ferizaj dhe do të kemi kujdes që ata persona që janë të përfshirë të mos jenë në këtë proces zgjedhor. Pra, KQZ-ja nuk do t`i emërojë komisionerët që kanë qenë të përfshirë në kryerjen e veprës penale për manipulim të zgjedhjeve”, ka deklaruar Daka.

Në këtë kontekst, Daka ka thënë se përgjegjësinë e mbajnë të gjitha subjektet politike që i kanë komisionerët e tyre në vendvotime, e jo KQZ-ja e cila është përgjegjëse për anën teknike.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›