Kosovë, Kurti akuzohet për izolim të Komisionit që udhëheq

Vetëm një vizitë jashtë vendit ka bërë Komisioni i Jashtëm i Kuvendit të Kosovës që kur Albin Kurti është kryetar i tij. Madje atë në Shqipëri.
Anëtari i Komisionit për Punë të Jashtme nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Shaip Muja, ka akuzuar të dielën liderin e lëvizjes “Vetëvendosje” se ka izoluar Komisionin për Politikë të Jashtme, duke e privuar nga aktiviteti i zhvillimit të diplomacisë parlamentare përmes konceptit të tij politik, siç e ka përshkruar ai, të izoluar nga gjithë të tjerët.
“Si komision për vizitë jashtë vendit ne nuk kemi pasur asnjë ftesë, përveç një në Shqipëri dhe ajo ka qenë vizitë e trashëguar, pra kthyese e Kuvendit të kaluar, e cila nuk na atribuohet ne. Kjo është pasojë e qëndrimit konceptual e politik karshi politikës kosovare, ndërkombëtare dhe në përgjithësi politikës globale që e përfaqëson Albin Kurti si kryetar i Komisionit”, ka thënë Muja. “Komisioni është i izoluar duke mos mundur që të japë kontribut në rrafshin e diplomacisë parlamentare, pasi Albin Kurti konceptualisht është i izoluar prej të gjithëve” ka shtuar ai.
Sipas anëtarit të PDK-së, anëtarët e komisionit nuk janë ftuar jashtë vendit si pasojë e qëndrimit politik të Kurtit. “Albin Kurti me pozicionin i tij politik është në mospërputhshmëri me politikat evropiane dhe përfaqësuesit e këtyre vendeve që janë në Kosovë përmes ambasadave normalisht që u kanë raportuar se kush është ky person dhe nuk kanë krijuar asnjë marrëdhënie me ne”, ka theksuar ai. “Po të mos ishte Albin Kurti kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme, të paktën në pesë- gjashtë shtete, komisionet homologe të kuvendeve të tyre do të na ftonin për t`i vizituar”, ka shtuar ai. Muja gjithashtu ka kërkuar dorëheqjen e Kurtit nga kreu i Komisionit.