E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë, Kusari-Lila: Do përdoren vulat me simbolet e doganave

Ministrja e Kosovës për Tregti dhe Industri, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se në kufijtë me Serbinë, do të përdoren vetëm vulat me simbolet e doganave të Kosovës.
“Të vetmet vula që do të përdoren në kalimet kufitare janë ato me simbolet e doganave të Kosovës”, ka thënë ministrja kosovare.
Reagimi i saj ka ardhur pas shkrimeve në mediat e Beogradit, për propozimet e Serbisë që të përdoren vulat e dyfishta.
Ministrja e Kosovës ka thënë se ky propozim nuk është i pranueshëm për palën e Kosovës. Ajo ka vlerësuar se ka qenë e planifikuar që për vulat doganore të flitet që në fillim të procesit negociator, në mars, por ekipi i Beogradit e ka komplikuar situatën dhe e ka sjellë gjendjen në terren.
“Tashti çdo propozim është i papranueshëm për palën e Kosovës. Vulat e doganave të Kosovës janë të vetmet që do të jenë në kufijtë e Kosovës”, konkretizoi ajo. 

Edhe pse shihet si çështje e thjeshtë prej palës kosovare, ishte pikërisht problemi i vulave doganore që krijoi situatën e tanishme në veri. Tërheqja e Beogradit për të pranuar vulat doganore u pasua me masat e reciprocitetit, zbatimi i plotë i të cilave, nxiti ndërhyrjen e Policisë së Kosovës në pikat e pakontrolluara kufitare 1 dhe 31. Hyrja e mallrave serbe thuhet se është ndaluar, ndërkaq flitet edhe për zvogëlim të kontrabandës së këtij malli në pjesën veriore të Kosovës. Mallrat serbe po zëvendësohen me prodhime të vendeve tjera fqinje, ndërkaq Ministria e Tregtisë dhe Industrisë tha se është rritur prodhimi vendor në produktet ushqimore dhe ndërtimtari.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›