E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë/ Lirohet lideri i "Vetëvendosjes" Albin Kurti

Pas seancës maratonë prej 10 orësh, Albin Kurti, lider i Lëvizjes "Vetëvendosje", mund të shkojë në shtëpi.

Gjatë ditës, atij i ishte hequr një pikë e aktakuzës, kurse për pikën e fundit për të cilën ai akuzohej "pengim i personit në kryerjen e detyrës zyrtare", ai u dënua me 9 muaj burg.

Por, meqë Kurti ka qëndruar në paraburgim për 11 muaj, dënimi prej 9 muajsh hyn në llogari të periudhës së paraburgimit. Kjo do të thotë se Kurti sonte lirohet dhe me këtë vendim merr fund procesi i stërzgjatur ndaj tij.
Rreth orës 18 e 30 minuta, të ditës së sotme, trupi gjykues ka vendosur që të shpallë vendimin përfundimtar në lidhje me këtë proces të gjatë gjyqësor.
Nga tri pika të aktakuzës, para disa muajsh i ishte hequr një, kurse sot gjatë ditës Kurtit i është hequr edhe një tjetër, duke bërë që t'i mbetet vetëm ajo e pengimit të personave në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare.

I tërë procesi gjyqësor ndaj Kurtit ka të bëjë me demonstratat e shkurtit të vitit 2007.
Në fjalimin e tij të gjatë, të cilin e ka shpërndarë para pak çasteve Lëvizja "Vetëvendosje", Kurti ka deklaruar edhe një herë se nuk e njeh EULEX-in dhe procesin gjyqësor të filluar nga ky mision.

"Mua nuk mund të më ofrohet një gjykim i drejtë brenda këtij sistemi. Veprimtaria ime është në kundërshti të drejtpërdrejtë me interesat e EULEX-it për të siguruar pushtetin e vet", citohet të ketë thënë Kurti.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›