E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë, MPB i përgjigjet në 16 pyetjet e Komisionit Europian

Ministria e Punëve të Brendshme në Kosovë, e cila mban pothuajse barrën kryesore në procesin e integrimit evropian, tashmë i ka bërë gati përgjigjet e pyetësorit për studimin e fizibilitetit, të parashtruara nga Komisioni Evropian. Lajmin e ka konfirmuar për “Epokën e re” ministri i MPB-së, Bajram Rexhepi.
 

“MPB-ja është përgjigjur në 16 pyetjet të cilat ka parashtruar Komisioni lidhur me procesin e studimit të fizibilitetit, i cili do t`i hapë rrugë Kosovës për të nisur negociatat për marrëveshjen e Stabilizim Asocimit (MSA). Këto pyetje kryesisht kanë të bëjnë me sundimin e rendit dhe ligjit në Republikën e Kosovës”, ka deklaruar Rexhepi.
 

Ai ka bërë me dije se disa prej pyetjeve të parashtruara për MPB-në kërkojnë harmonizim me pyetjet e Ministrisë së Drejtësisë dhe atë të Infrastrukturës. “Pas përgatitjes të përgjigjeve nga të gjitha institucionet qëndrore, Ministria e Integrimeve Evropiane do t`ia prezantojë Misionit Faktmbledhës të Komisionit të Bashkimit Evropian”është shprehur Rexhepi.
 

Më 7 maj të këtij viti Ministria e Integrimit Evropian ka pranuar pyetësorin nga Komisioni i BE-së me mbi 450 pyetje për të gjitha institucionet qendrore të Republikës së Kosovës. Ky pyetësor përmban kryesisht pyetje nga politika, legjislativi dhe ekonomia.
 

Ministria e Integrimit të Kosovës para disa ditësh ka shpërndarë këto pyetje në të gjitha institucionet qendrore shtetërore. Deri të premten të gjitha institucionet duhet t`i dërgojnë përgjigjet e tyre në ministri. Ndërkaq, më 21 maj të këtij viti ministria do të raportojë në qeveri për të gjitha ato institucione të cilat kanë respektuar apo jo afatet dhe kualitetin e kërkuar të përgjigjeve në pyetësorin e Komisionit të BE-së lidhur me studimin e fizibilitetit.

Duke u bazuar në përgjigjet e institucioneve të Republikës së Kosovës, më 1 qershor ministria e integrimit do të konsolidojë dokumentin final dhe më 8 qershor do t`ia dorëzojë Komisionit të BE-së. Pas dorëzimit të përgjigjeve, më 18 qershor në Kosovë do të arrijë Misioni Faktmbledhës i këtij institucioni, me qëllim verifikimin e përgjigjeve të pyetësorit lidhur me studimin e fizibilitetit, i cili do t`u hapë rrugë negociatave për MSA-në.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›