Kosovë, Mustafa mbështet Thaçin për kritikat ndaj Brukselit

Kreu i LDK-së në Kosovë Isa Mustafa sërish është në anën e Hashim Thaçit. Kësaj radhe, Kryetari i partisë më të madhe në opozitë i dha mbështetje kritikave që Kryeministri ka bërë ditëve të fundit në lidhje me qasjen e Bashkimit Evropian për proceset integruese të vendit.
“Po është e vërtetë që Bashkimi Evropian duhet të ketë parasysh fazën në të cilën ka kaluar Kosova dhe mendoj që duhet të jetë më tolerant në aspektin e integrimit të saj në mekanizmat europian”, ka thënë Mustafa, të dielën, gjatë një tubimi të LDK-së në qytetin e Deçanit.
Sipas tij, Kosova meriton të integrohet në strukturat europiane si çdo vend tjetër në rajon dhe për këtë është pajtuar me kërkesën e Kryeministrit ndaj Brukselit.
Ditë më parë, Kryeministri Thaçi deklaroi se, me qasjen aktuale, Brukseli po e mban gjallë industrinë e konflikteve në Ballkan.