Tahiri:Pa zbatimin e marrëveshjeve, s`ka dialog me Serbinë

Përfaqësuesja e Kosovës në bisedimet Prishtinë-Beograd, Edita Tahiri deklaron se pa zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani me palën serbe në dialogun teknik, nuk mund të fitet për tema të tjera.
Kryeneociatorja Tahiri, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se fillimisht duhet që marrëveshjet e arritura të zbatohen, e më pas të flitet për takime dhe tema tjera me palën serbe.
“Ashtu siç e ka thënë edhe vetë kryeministri Thaçi, në këtë fazë jemi të fokusuar për zbatimin e marrëveshjeve. Kërkojmë një angazhim të vendosur të Bashkimit Evropian, i cili është edhe ndërmjetësues dhe garantues i këtij dialogu teknik, që t`i bëjë presion Serbisë për zbatimin e marrëveshjeve. Nuk mund të ketë bisedime për tema të tjera teknike pa u bërë zbatimi i marrëveshjeve”, thekson Tahiri.
Qeveria e Kosovës ka shprehur disa herë zhgënjimin e saj për moszbatimin e plotë të marrëveshjeve nga ana e Serbisë. Edhe analistët e çështjeve politike deklarojnë se bisedimet me palën serbe nuk duhet vazhduar derisa nuk zbatohen marrëveshjet e arritura.
Ndërkohë, gjatë kësaj jave, me iniciativën e një grupi të deputetëve, Kuvendi i Kosovës ka miratuar një mocion, me të cilin thuhet se institucionet e vendit duhet kushtëzuar bisedimet me Beogradin me zbardhjen e fatit të personave të pagjetur të luftës.
Por, një ditë pas miratimit të këtij mocioni, opozita ka lëshuar sallën pas propozimit të partisë më të madhe në pushtet, Partisë Demokratike të Kosovës, që Kuvendi edhe njëherë ta rishqyrtojë mocionin e miratuar.
Bisedimet Kosovë - Serbi të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, kanë prodhuar deri më tani disa marrëveshje të prezantuara edhe si konkluzione.
Por, deri më tani nuk është bërë ndonjë vlerësim zyrtar nga ana e Bashkimit Evropian lidhur me zbatimin e tyre.