Kosovë, PDK synon të mbajë ministritë kyçe

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) synon që të mbajë dikasteret kyçe ministrore në qeverisjen e re.
Ministria e Jashtme, Ministria e Brendshme, Ministria e Arsimit, Ministria e Post-Telekomunikacionit, Ministria e Ekonomisë dhe Financave pritet të jenë dikasteret që ekskluzivisht do të udhëhiqen nga PDK-ja, bëjnë me dije mediat kosovare.
Ndërkohë, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Energjisë dhe Minierave dhe dikasteret e tjera janë të hapura për partnerët e koalicionit. Një nga propozimet edhe brenda PDK është nisma e AKR-së që Ministria e Ekonomisë dhe Financave të ndahet në dy dikastere ministrore në Ministri të Financave dhe veçmas në Ministri të Ekonomisë.
Në PDK bëjnë të ditur se deri tani vendet e sigurta në kabinetin e ri qeveritar do ti kenë vetëm ministrat e deritanishëm: Fatmir Limaj, Hajredin Kuçi, Enver Hoxhaj, Besim Beqaj, por nuk përjashtohet edhe Edita Tahiri, që është partnere e koalicionit me PDK-në.
Kreu i PDK, Hashim Thaçi deri tani nuk ka dhënë asnjë detaj lidhur me përbërjen e kabinetit të tij qeveritar, edhe pse brenda kësaj partie po bëhen negociatat e brendshme për kandidaturat ministrore. PDK synon që në garën për formimin e Qeverisë të pëfshijë AKR-në, por jozyrtarisht edhe AAK-në, edhe pas zërave kundërshtuese nga kjo parti.