Berisha-studentëve: Aplikoni për fondin e ekselencës

Kryeministri Berisha i bëri thirrje studentëve të rinj të aplikojnë në 15 universitet më të mira të botës pasi studimet e tyre do të financohen tërësisht nga qeveria.
Duke marrë pjesë në ceremoninë e organizuar për fondin e ekselencës ku janë në garë 42 kandidatë kreu i qeverisë theksoi se tashmë nuk do të ketë asnjë kufizim për studentët që duan të përfitojnë nga ky fond dhe ata që do t`i përmbushin kriteret do të kryejnë studimet në universitetet më të mira të botës.
“Siguroj që për qeverinë time përgatija juaj, mbështetja për ju përbën një nga përparësitë më madhore” theksoi Berisha duke shtuar se e konsideron jetike përpjekjet e krijimit të një elite që do të jetë në lartësinë e kohës.
Ai gjithashtu i bëri thirrje studentëve të jenë ambiciozë për të ardhmen e tyre pasi sipas tij vetëm një elitë vizionare do ta çojë vendin përpara.
“Ne së bashku duhet të kemi një ambicie që Shqipëria të bëhet një vend i zhvilluar dhe kjo është shumë e vështirë për tu realizuar por e mundshme” shtoi më tej Berisha.