E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, Pahor: Dy kombet të mësojnë të jetojnë me rolet e ndryshuara

PRISHTINË - 'Dy kombet duhet të mësojnë që të jetojnë me rolet e ndryshuara', ka kujtuar një mendim që ka shprehur para vitesh në Prishtinë, Borut Pahor, tashmë President i Sllovenisë, i cili ka mbërritur dje pasdite për vizitë dyditore në Kosovë, dhe ka zhvilluar takime edhe mbrëmë. 

Pas takimit me Presidenten e Republikës, Atifete Jahjaga, e cila e ka pritur me ceremonitë më të larta shtetërore, Pahor ka thënë se, "kjo është vizita e parë zyrtare e Presidentit të Republikës së Sllovenisë në Republikën e Kosovës. Unë këtu në vendin tuaj vij si kryetar i një shteti mik, unë këtu vij me dëshirën që këtë miqësi ta thellojmë në të gjitha nivelet e mundshme".

"Dua të përfundoj me një mendim timin personal", është shprehur, mes të tjerash, Pahor, duke folur në një konferencë shtypi bashkë me Jahjagën.

"Unë për herë të parë isha në Prishtinë në fillim të viteve të 90-ta, si nënkryetar i Bordit për Politikën të Jashtme të Kuvendit të Sllovenisë. Së bashku, jemi pyetur se çfarë e ardhmeje e pret kombin shqiptar në këtë pjesë të botës, në atë kohë, një hapësirë evropiane shumë e nxehtë. Pastaj e kam pasur një privilegj shumë të madh që e kam vizituar Prishtinën si kryetar i Kuvendit të Republikës së Sllovenisë dhe kam mbajtur fjalim në seancën e parë plenare. Me lejen tuaj, zonja Presidente, dua t'ju kujtoj me një mendim që kam shprehur atëherë dhe tani është treguar në fotografinë më impresive. Unë atëherë kam thënë se dy kombet duhet të mësojnë që të jetojnë me rolet e ndryshuara, populli shqiptar, si populli shumicë i një shteti të ri, dhe populli serb si pakicë. Dhe prej të dyve varet perspektiva e këtij shteti dhe po ashtu, në të ardhmen, edhe marrëdhëniet mes dy shteteve", ka thënë Presidenti Pahor. 

Para kësaj, ai ka thënë edhe se, "kjo vizitë, në një mënyrë, ballafaqohet me një dialog të suksesshëm mes Serbisë dhe Kosovës. Unë dua të shpreh mendimin tim, që kjo është ndoshta një nga çështjet më pozitive, arritje impresive e mençurisë, guximit dhe vullnetit politik për zgjedhjen paqësore të çështjeve të hapura në Ballkanin Perëndimor".

"Nga kjo pikëpamje, dua t'u shpreh mirënjohje udhëheqjeve të dy vendeve, po ashtu edhe popujve në të dy anët e kufirit. Unë mendoj se për Evropën në këto kohë shumë të vështira, lajmi se një problem aq madhor rregullohet me një mençuri, guxim politik dhe mirëkuptim, është një mendim pozitiv për të zgjedhur edhe probleme të tjera që janë në agjendën evropiane dhe botërore", ka shtuar Presidenti Pahor.

Zyra e shtypit e Presidencës kosovare, e cila citon Presidentin slloven, ka bërë të ditur se, Presidentja Jahjaga dhe Presidenti Pahor diskutuan për një varg çështjesh me rëndësi, për marrëdhëniet midis Kosovës dhe Sllovenisë, bashkëpunimit në një varg fushash me rëndësi e interes për të dyja vendet, bashkëpunimin rajonal e një varg çështjesh të tjera.

(m.a/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›