Kosovë, Preteni: Për korrupsion po hetohen edhe ministra

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit në Kosovë, Hasan Preteni ka paralajmëruar se viti 2012 do të jetë vit i mbushur me emra ministrash që do të hetohen, ndryshe nga viti i kaluar kur s`pati asnjë.
Në një intervistë për "Koha Ditore", Preteni tregon se në mesin e 13 rasteve “të mëdha” që Agjencia i dërgoi në prokurori gjatë vitit që shkoi, ka edhe zyrtarë nga Zyra e kryeministrit, por jo edhe nga Presidenca dhe Kuvendi. Por, nuk pranon të bëjë publikë emrat, as për ata që u hetuan në të kaluarën nga Agjencia, e as për ata që janë në procedurë të hetimeve. Kjo sipas tij pasi e detyron ligji të ruajë këtë sekret gjatë fazës hetimore, por flet me kode, kur pohon se ka lexuar ndonjë rast të raportimit në media për korrupsion, që e lë të nënkuptohet mundësinë e hetimit të këtyre rasteve nga Agjencia. Për herë të parë, ai sqaron publikisht se përse kritikon gjykatat për neglizhencë sa herë që flet për korrupsionin. Thotë se ato nuk dërguan asnjeri në burg për korrupsion, duke përjashtuar ish-drejtoreshën e PTK-së, Leme Xhema, e cila është arratisur.
Preteni rikujton se për vitin 2011 janë 121 emra të veçantë që janë dërguar në prokurori, ndonëse i kemi trajtuar 160 informacione, nga të cilat në 39 raste kemi gjetur raste me prova të mjaftueshme, dhe në ato 39 raste janë të përfshirë 121 persona.
"Këtë pjesën e 160 informacioneve, nuk është ligjore t`i komentojmë, sepse nuk kemi gjetur prova. Por, ju siguroj juve se asnjë emër nuk është fshehur e as nuk do të fshihet kurrë në Agjenci, në kuptimin që të mos hetohen si raste. Sa i përket pyetjes se përse nuk ka zyrtarë të niveleve më të larta, duhet të theksoj se ne kemi trajtuar kryesisht material që e rregullon fushën e prokurimit dhe emrat e ministrave nuk kanë qenë në asnjë dokumentacion që e rregullon prokurimin. Pse? Sepse Ligji i vjetër ka qenë në fuqi, dhe me të nuk ka qenë e obligueshme që ministrat t`i nënshkruajnë kontratat. Që prej fundit të vitit të shkuar kjo ka ndryshuar, dhe që tani unë iu siguroj se ka raste që po trajtohen edhe zyrtarë të niveleve më të larta, edhe të ministrave e edhe të niveleve më të larta. Por, informacione edhe për ta ka" ka shtuar Preteni.