Radhë të gjata automjetesh në kufirin Serbi–Kosovë

Radhë të gjata automjetesh në kufirin ndërmjet Serbisë e Kosovës. Automjet janë kryesisht me emigrantë nga Kosova, që vijnë në Kosovë nëpër Serbi, si rrugë më e shkurtër. Por, për ta kaluar kufirin serb në Merdar, pa “telashe” dhe pa pritur në rend, ata paguajnë nga 50 euro, shkruan sot “Koha Ditore”. Në të kundërtën, ata detyrohen të presin me orë të tëra si pasojë e neglizhencës së procedurave doganore nga ana e doganës së shtetit fqinj.
Policia doganore serbe po shkakton vonesa qëllimisht, për t`i “nervozuar” qytetarët e Kosovës. “Ka shumë raste që ata po kërkojnë para, nga 50 euro, vetëm për t`i kaluar më shpejt procedurat doganore. Ata udhëtojnë me familje dhe nuk mund të presin nga 5 orë në kufi, kështu që detyrohen të paguajnë”, ka shtuar një polic kosovar për gazetën.
Neglizhencën e palës serbe e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, sipas të cilit që nga e shtuna ka radhë të gjata në hyrje-daljet e kufirit serb në Merdar, e posaçërisht vonesat më të mëdha janë sipas tij, në hyrje për në Kosovë.