Fluksi i emigrantëve, Sezoni i pushimeve, për 11 ditë, 202 mijë persona erdhën në Shqipëri
TIRANË - Policia Kufitare ka marrë një sërë masash për të menaxhuar sa më mirë fluksin e emigrantëve, të cilët kthehen në vendin tonë për të kaluar pushimet verore. Sipas një deklarate nga departamenti i Policisë Kufitare dhe Migracionit në Policinë e Shtetit, nisur nga fakti që gjatë sezonit turistik rritet ndjeshëm fluksi i shtetasve shqiptarë dhe të huaj që vijnë për të kaluar pushimet në vendin tonë, janë marrë një sërë masash me qëllim menaxhimin sa më mirë të këtij fluksi në rritje, si dhe për lehtësimin e procedurave të përpunimit të personave dhe automjeteve në pikat e kalimit kufitar në përputhje me standardet ndërkombëtare. Në pikat e kalimi kufitar, ku fluksi i qarkullimit të shtetasve dhe i mjeteve është më i lartë, është bërë i mundur shtimi i sporteleve dhe i personelit me anë të komandimeve të personelit shtesë. Sipas policisë, rëndësi i është kushtuar edhe bashkëpunimit me agjencitë e udhëtimit dhe agjencitë turistike, duke koordinuar për listat e udhëtarëve që lëvizin me avionë, tragete apo mjete të tjera për transport pasagjerësh, me qëllim përshpejtimin e procedurave të përpunimit të shtetasve dhe të mjeteve nëpërmjet një kontrolli efikas të kufirit. Gjithashtu, strukturat vendore të policive kufitare dhe të migracionit, që të bashkëpunojnë me strukturat homologe policore të vendeve fqinje, si të Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë, Greqisë etj., me qëllim menaxhimin sa më mirë të fluksit të lëvizjes. Ndërkaq, strukturat e Policisë Kufitare dhe Migracionit në qendër po mbajnë kontakte të vazhdueshme me vendore lidhur me problematikën që mund të evidentohet, me qëllim zgjidhjen e saj. Policia tha se, nga data 1 korrik 2010 deri mesditën e djeshme kanë hyrë në Shqipëri përmes pikave të kalimit kufitar 202 459 persona, nga të cilët 113 255 qytetarë shqiptarë dhe 89 204 qytetarë të huaj. Po ashtu janë përpunuar në hyrje 61 783 automjete. Gjatë muajit qershor kanë hyrë në Shqipëri 397 981 persona, nga të cilët 246 189 shqiptarë dhe 151 792 qytetarë të huaj.
13 Korrik 2010