E Diel, 1 Nëntor 2026

Zyrtare, emigrantët do ti marrin pasaportat në vendet ku jetojnë



Artan CENA
TIRANË - Emigrantët shqiptarë në Greqi dhe Itali, në tetor mund të aplikojnë pranë konsullatave shqiptare në Selanik, Athinë apo Romë për t’u pajisur me kartën e identitetit dhe pasaportën biometrike. Në këtë mënyrë, qeveria krijon lehtësira te emigrantët, të cilët janë detyruar që të kthehen në Shqipëri për t’u pajisur me dokumentet e reja të identifikimit. Lajmi është konfirmuar zyrtarisht dhe nga zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni. “Po shohim mundësinë konkrete të hapjes së pikave të aplikimit në disa nga konsullatat e shteteve fqinje, fillimisht në Itali dhe Greqi. Pas disa kohësh, rreth 3-4 muaj nga tani, qytetarët që banojnë në Athinë ose në Selanik do të mund të aplikojnë për pasaportën edhe atje, dhe do ta marrin po atje”, - ka deklaruar zv.ministri i Brendshëm. Sipas Ponit, Italia dhe Greqia, për shkak të numrit të madh të emigrantëve shqiptarë, janë përzgjedhur si të parat për të zbatuar projektin e ri.
Kostoja
Gjatë deklaratës së tij, zv.ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, sqaron se kostoja e dokumenteve që do të lëshohen nga konsullatat tona në vende të tjera do të jetë pak më e lartë, por gjithsesi, brenda kostos së prodhimit të tyre. “Kostoja do të jetë pak më e shtrenjtë sepse i përgjigjet edhe kostos atje. Janë shërbime më të shtrenjta, sepse mirëmbajtja duhet vënë kastile. Besoj do të jetë po kaq e arsyeshme sa i kanë marrë dokumentet në Shqipëri shqiptarët, pra e pangarkuar nga taksat. I takon Parlamentit ta vendosë, por mund të jetë diku te 90 deri në 110 euro”, - deklaroi Poni. Ndërkohë që në Shqipëri ky aplikim, bashkë me kartën e identitetit, kushton 7 200 lekë. Pasaporta biometrike është dokumenti bazë për lëvizje të lirë në vendet e Bashkimit Europian, pas heqjes së vizave për shqiptarët, proces që pritet të ndodhë gjatë këtij viti. Aplikimi në vendet ku jetojnë është një lehtësi për emigrantët, të cilët këto ditë që janë kthyer për pushime gjenden dhe nëpër dyert e zyrave për aplikime.
Procedurat
Por, si do të jetë procedura që një emigrant shqiptar duhet të ndjekë për të bërë aplikimin për dokumentin e identifikimit? Emigranti do të mund të aplikojë në ambasadë dhe të dhënat e tij do të dërgohen online në Tiranë. Sipas të dhënave, “më pas, pasaporta do të vijë në Athinë ku dhe do të paraqitet i interesuari për ta marrë”. Pajisja me pasaportat biometrike ka qenë një nga problemet më të mëdha të emigrantëve shqiptarë në Greqi, sidomos atyre që u humbiste pasaporta dhe ishin të detyruar të prisnin më shumë se një muaj në Shqipëri për ta marrë atë. Por ardhja e tyre në Shqipëri shkaktonte dhe probleme në punë dhe shpenzime. Duke qenë se një pasaportë biometrike në Shqipëri vonon më shumë se 45 ditë, kjo për emigrantët ishte një humbje e madhe pasi kostoja e shpenzimeve shkonte deri në 1500 euro. Në këtë mënyrë shpenzimet dhe sorollatjet shtoheshin për emigrantët pasi ai duhej që të shkonte në ambasadë dhe ministri për t’i përkthyer.

Radhë në Elbasan
Kthimi i emigrantëve është shoqëruar me radhë të gjata në sportelet e zyrave të aplikimit për pasaportat e reja biometrike. Në qytetin e Elbasanit emigrantët thonë se presin prej orësh për të aplikuar. Sezoni i pushimeve është momenti më i mirë për emigrantët për të marrë dokumentet në Shqipëri.

Informacion mbi pajisjen me dokumente identiteti sipas Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë
Letërnjoftime elektronike deri më 25.06.2010
Aplikimi total 2 156 000
Shpërndarje në ZGJC 2 143 000
Tërhequr nga qytetarët 1 962 000

Pasaportat biometrike deri më 25.06.2010
Aplikimi total 744 000
Shpërndarje në rajone policie 741 000
Tërhequr nga qytetarët 640 000

Problemet në zyrat e aplikimit

Një emigrant nga Greqia ka treguar se kishte zënë radhë që në orën 06:00 dhe se deri 12:00 nuk kishte shpresë t'i vinte radha, ndërsa i duhet që shpejt të kthehet në vendin e tij të punës. Një tjetër qytetare tha se kishte zënë radhë edhe javën që kaloi, por nuk kishte mundur të aplikonte për pasaportë biometrike për nipin e saj 3-vjeçar, ndërsa edhe sot nuk priste t'i vinte radha. Por vonesat e radhët e gjata duket se shkaktohen, më shumë se nga fluksi i lartë i njerëzve, nga keqfunksionimi i zyrave dhe reduktimi i burimeve të vëna në dispozicion të publikut.

13 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›