E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosove-Serbi anullohet raundi i gjashte i bisedimeve

Zëvendëskryeministrja e Qeverisë së Kosovës, e cila është edhe shefe e delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, thotë se raundi i gjashtë i dialogut është anulluar për faj të palës serbe, e cila nuk është treguar e gatshme ta pranojë marrëveshjen për tregtinë e lirë, përkatësisht njohjen e vulave të doganave të Kosovës, të pranuara tashmë nga Bashkimi Evropian.

Tahiri ka takuar të martën pasdite në Bruksel ndërmjetësin e BE në dialogun teknik, Robert Kuper, në prag të raundit të gjashtë të bisedimeve. Në një deklaratë të lëshuar nga zyra e saj, thuhet se Kuper me keqardhje e ka njoftuar për vendimin e tij për të anuluar raundin e gjashtë të bisedimeve, me arsyetimin se ka nevojë që të punohet më shume në finalizimin e marrëveshjeve në katër çështjet më pranë zgjidhjes, si energjia, telekomunikacioni, tregtia e lirë dhe kadastrat.

Tahiri në këtë takim ka konfirmuar angazhimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të kontribuar për zgjidhje evropiane të këtyre çështjeve dhe sqaroi se ka udhëtuar në Bruksel e përgatitur maksimalisht për të arritur rezultate konkrete.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›