Kosovë-Serbi, arritja e marrëveshjeve me dialog
Dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit i paraparë për të filluar në vjeshtë ose sipas të gjitha gjasave në muajin tetor, pritet të ketë në axhendë edhe temat që kanë mbetur pa u diskutuar në të ashtuquajturin dialog teknik, energjinë dhe telekomunikacionin.
Por sipas mediave kosovare, Brukseli dhe dy delegacionet, ai i Prishtinës dhe Beogradit, pritet të merren edhe me marrëveshjet e arritura gjatë raundeve teknike për të eliminuar keqinterpretimet që janë shfaqur gjatë implementimit të tyre.
“Është shumë e rëndësishme të qartësohet se çfarë saktësisht është arritur në procesin e bisedimeve. Ndërsa për marrëveshjet që do të arrihen në të ardhmen duhet të ketë edhe nënshkrime në mënyrë që të eliminohet ajo çfarë kemi parë në të kaluarën”, ka thënë një zyrtar i afërt me procesin e bisedimeve në kushte anonimiteti.