E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqyrtojnë ftesën për autopsi të Arafatit

Një laborator zviceran i fizikës radioaktive po shqyrton ftesën për pjesëmarrje në hetimin e ri të rrethanave të vdekjes dhe për bërjen e autopsisë të mbetjeve mortore të Yasser Arafat. Ndërkohë, e veja e ish-liderit palestinez, Suha Arafat, është deklaruar kundër përfshirjes së Autoritetit Palestinez në cilëndo nga këto procedura.

Ekspertët zviceranë janë ftuar në Bregun Perëndimor për të testuar mbetjet mortore të ish-liderit palestinez, Yasser Arafat, për shkak të ekzistimit të mundësisë që ai të ketë qenë i helmuar, deklaroi shefi i ekipit që po heton vdekjen e tij.

Ish-zyrtari i lartë palestinez i shërbimit të zbulimit, Twafiq Tirawi, i cili kryesoi një hetim të vitit 2004 lidhur me vdekjen e Yasser Arafat, nuk deshi të fliste më detajisht për rastin, megjithëse laboratori zviceran ndërkohë konfirmoi marrjen e ftesës zyrtare.

"Momentalisht jemi duke vendosur se si t’i përgjigjemi në mënyrë adekuate ndaj kësaj kërkese. Kontaktet tashmë janë vendosur, dhe ne shpresojmë se do të dalim me diçka të re gjatë fillimit të javës së ardhshme”, deklaroi zëdhënësi i Institutit Zviceran për Fizikë Radioaktive, Darcy Christen.

"Për momentin, shqetësimi jonë kryesor është që të sigurojmë garanci për paanësi, kredibilitet dhe transparencë gjatë pjesëmarrjes tonë të mundshme në këtë rast”, sqaroi ai.

Nga ana tjetër, Tirawi tha të mërkurën në Ramallah se, instituti radiologjik zviceran me bazë në Lousanne (Zvicër) mund të llogaris në garanci dhe mbështetjet të plotë të Autoritetit Palestinez.

"Ne jemi të gatshëm që [atyre] t’iu ofrojmë çfarëdo garancie që i nevojitet”, theksoi Tirawi.

Hetimet e televizionit Al-Jazeera

Me këtë hetim, të cilin fillimisht e kishte iniciuar televizioni Al-Jazeera, është zbuluar prania e elementit radioaktiv kimik të Polonoiumit në të gjitha gjësendet personale që i përkisnin Yassaer Arafatit, gjë që ka rikthyer spekulimet e mëhershme se ish-lideri palestinez nuk kishte vdekur për shkak të sëmundjes, por ishte helmuar.

Ndryshe, Yasser Arafat ka vdekur në vitin 2004, në një spital ushtarak jo fort larg Parisit. Më 31 korrik të këtij viti, e veja dhe vajza e tij kanë ngritur në Francë një aktakuzë për vrasje ndaj personave të panjohur, për shkak të dyshimeve se lideri i dikurshëm palestinez ka vdekur si pasojë e helmimit me Polonium.

Ekspertëve zviceran ftesa u është dërguar disa javë pasi që Autoriteti Palestinez nuk reagoi fare ndaj çështjes së ekshumimit të mbetjeve mortore dhe autopsisë së Arafatit.

Për shkak të qëndrimeve të ndryshme brenda Autoritetit Palestinez, ndërkohë janë përhapur spekulime se brenda Autoritetit ka njerëz që po synojnë të ndërpresin hetimin e rastit.

Porosia drejtuar Autoritetit Palestinez

Televizioni Al Jazeera pat nisur hetimet për këto dyshime, si dhe kishte publikuar rezultatet e laboratorit zviceran, pas që cilës gjë e veja e Yasser Arafat, Suha – e cila laboratorit zviceran ia kishte dorëzuar rrobat e tij – kishte kërkuar ekshumimin e mbetjeve mortore të bashkëshortit dhe një autopsi të plotë.

Shefi i ekipit juridik të Suha Arafat, Saad Djebbar, deklaroi se e veja e ish-liderit palestinez do të kundërshtojë çfarëdo përfshirje të Autoritetit Palestinez në këtë hetim.

"Zonja Arafat ka ngritur një padi në institucionet kompetente juridike në Francë. Ky është një rast i vrasjes, e cila ka filluar në Palestinë, por ka përfunduar në Francë, kështu që francezët janë juridikisht kompetent për zgjidhjen e saj. Zonja Arafat nuk dëshiron që Autoriteti Palestinez ta pengojë rastin”, u shpreh avokati Djebbar për televizionin Al Jazeera.

Ai po ashtu theksoi se, po qe se – eventualisht – merr përsipër hetimin e rastit, atëherë Autoriteti Palestinez do “ta prejudikonte procesin”.

"E falënderojmë shumë Abu Mazen [gjegjësisht, udhëheqësin e Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas] për bashkëpunimin, që erdhi tepër vonë”, shtoi tutje Djebbar.

"Zonja Arafat do të ketë gjasa më të mira për një hetim të pavarur në Francë, se sa që rasti t’iu lihet në duar njerëzve që janë pjesë e hetimeve”, përfundoi ai.

Ndryshe, Instituti për Fizikë Radioaktive ka njoftuar se përfundimet e shpallura nga ai janë të pakompletuara, dhe se rasti do të mund të zgjidhet vetëm përmes ekshumimit të mbetjeve mortore të Yasser Arafat.

Gjithashtu, sipas pohimeve të ekspertëve të këtij laboratori, meqë Poloniumi shpërbëhet shumë shpejtë, autopsia e mbetjeve mortore të Arafat do të duhej të bëhej më së voni brenda disa muajve të ardhshëm.

Përndryshe, Poloniumi është një substancë shumë toksike, që shumë rrallë mund të haset jashtë qarqeve të caktuara shkencore apo ushtarake. Poloniumi ishte shfrytëzuar për vrasjen e ish-spiunit rus, Alexander Livinenko, në vitin 2006, në Londër. Ish-spiuni Litvinenko, i cili ndërkohë ishte shndërruar në një kritik të ashpër të Kremlinit, kishte vdekur pak kohë pasi që kishte pirë një qaj (të helmuar me Polonium) në një restorant londinez.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›