Kosovë-Serbi, përgatiten për bisedime politike
PRISHTINE- Pa një dialog politik ndërmjet Prishtinës e Beogradit nuk ka ardhmëri të sigurt në veriun e Kosovës. Kështu thotë, në kushte anonimiteti, një burim ndërkombëtar i gazetës Zëri. Dhe, nisur nga kjo, viti 2012, do të jetë vit përfundimtar për çështjen veriu i Kosovës.
Ky vit, pra, sipas burimeve të gazetës, do të sjellë bisedime politike Kosovë-Serbi, në të cilat do të merret një vendim për zgjidhjen e problemit të veriut të Mitrovicës. Ndërkaq, arsyeja pse zgjidhja duhet të gjendet këtë vit ka të bëjë edhe me fundin e pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës, thotë burimi.
Kanë kaluar muaj të tërë dhe barrikadat, problemet ndërmjet shqiptarëve e serbëve, nuk po ndalen. Andaj, e vetmja rrugë mbetet një dialog politik ndërmjet Prishtinës e Beogradit, për të gjetur një rrugëdalje nga situata e krijuar në veri. Po ashtu, viti 2012, është fundi i pavarësisë së mbikëqyrur, andaj tema veri duhet përmbyllur gjithsesi, tha ky ndërkombëtar.
Sipas të njëjtit, problemi tjetër këtu është se ndërkombëtarët janë të shqetësuar me mospërpjekjen e Qeverisë së Kosovës, për gjetjen e ndonjë modeli adekuat për integrimin e serbëve të veriut në institucionet e Republikës së Kosovës. (Zeri)