Kosovë-Serbi, raundi i dytë i bisedimeve
PRISHTINE- Dialogu mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojë sot në Bruksel. Mbledhja do të mbahet me ndërmjetësimin e britanikut Robert Cooper, këshilltar i përfaqësueses së lartë të Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton. Në raundin e dytë, do të trajtohen disa çështje: furnizimi me energji elektrike, librat e regjistrimit civil, kadastrat dhe doganat.
Udhëheqësja e delegacionit kosovar, Edita Tahiri ka thënë se pala kosovare do të kërkojë të hapet edhe çështja e targave të automjeteve.
Tahiri ka deklaruar se BE-ja ka kërkuar që dialogu teknik të jetë konstruktiv dhe të arrihen rezultate konkrete, dhe se do të shikojë me vëmendje se kush nuk po u përmbahet këtyre kërkesave.
Prishtina zyrtare shpreson që do të përfitojë nga ky dialog, jo vetëm sa i përket zgjidhjes së çështjeve konkrete, por edhe liberalizimit të vizave dhe mundësisë së nënshkrimit të Marrëveshjes së stabilizim-asociimit mes Kosovës dhe BEsë.
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj pret që Kosova të përfitojë në disa lëmenj. Dialogu nuk duhet t’i shërbejë Kosovës vetëm për zgjidhjen e çështjeve teknike dhe normalizimin e raporteve me Serbinë, por duhet të ndihmojë edhe afrimin e Kosovës me Bashkimin Europian, ka thënë Hoxhaj, cituar sot nga Express.
Në anën tjetër, udhëheqësi i delegacionit serb, Borko Stefanovic ka deklaruar se Serbia nuk do t’ia dorëzojë Kosovës librat origjinale të regjistrimit civil, por vetëm kopjet e tyre, me shpjegimin se kështu do të hiqte dorë nga sovraniteti serb mbi Kosovën.
Ai theksoi se pala serbe me Prishtinën nuk do të nënshkruajë asnjë marrëveshje që ka elemente shtetësie, pasi që kështu do të njihte pavarësinë e Kosovës.
Ekipi negociator serb nuk po shkon në Bruksel për ti hapur rrugën pavarësisë së Kosovës, theksoi Stefanovic, duke shtuar se për zgjidhjen e problemeve konkrete nuk ka afate të caktuara kohore, siç ka kërkuar pala kosovare.
Sa i përket furnizimit me energji elektrike, Stefanovic ka deklaruar për mediat serbe se qëllimi i marrëveshjes është që ti bëhet e mundshme Elektroekonomisë së Serbisë të funksionojë në territorin e Kosovës. Ai është i bindur se në një fazë të mëvonshme do të hapet edhe çështja e Veriut të Kosovës.
Si rezultat i dialogut, pala serbe pret që deri në fund të vitit ti hapet rruga për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.