“Kosovë-Serbi të zbatojnë marrëveshjen me ndërmjetësimin e SHBA-BE”, Meta mbështet thirrjen e Ursula Von der Leyen

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka mbështetur thirrjen e Presidentes së KE-së, Ursula Von der Leyen për rikthimin e dialogut Kosovë-Serbi dhe zbatimin e plotë të marrëveshjeve të negociuara përmes BE-së dhe SHBA-së.
Ai shprehet se kjo është rruga e vetme për normalizimin përfundimtar të situatës dhe marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit.
Meta thekson se është me rëndësi që Serbia të heqë dorë nga veprimet nxitëse të dhunës dhe t’i përmbahet zotimeve të saj përpara BE-së.
“E mbështes thirrjen e sinqertë të Kryetares së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen për nevojën jetike të rikthimit tek dialogu Kosovë-Serbi dhe zbatimit të plotë, të drejtë dhe të pakushtëzuar të marrëveshjeve të negociuara përmes BE dhe SHBA, si rruga e vetme për normalizimin përfundimtar të situatës dhe të marrëdhënieve mes dy shteteve.
Është shumë e rëndësishme që Serbia të heqë dorë nga veprimet nxitëse të dhunës dhe ashtu siç Kosova e ka shprehur vullnetin konstruktiv, t’i përmbahet zotimeve të saj përpara BE-së dhe të zbatojë marrëveshjet e dakorduara”, shkruan Meta në rrjetin social Facebook.
/rtsh.al/